Kadastra nën akuzë për mungesë transparence, raporti i KLSH ngre alarmin për moszbatim rekomandimesh dhe çështje pronash

TIRANË ,16 korrik 2026/Albania Express News/-Bllokim auditimesh, rekomandime të pazbatuara dhe problematika me regjistrimin e pronave. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi funksionimin e këtij institucioni dhe nivelin e kontrollit mbi administrimin e pronave publike e private.

Alarmi u ngrit fillimisht pas deklaratave të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i cili bëri të ditur para deputetëve se për afro dy vite KLSH nuk kishte mundur të zhvillonte një auditim të plotë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, duke e cilësuar situatën si problem për funksionimin normal të kontrollit kushtetues.

Raporti zyrtar i KLSH-së evidenton një sërë problematikash në zbatimin e rekomandimeve të lëna nga auditimet. Sipas dokumentit, nga 359 rekomandime të dhëna, 98 për qind janë pranuar nga strukturat përkatëse, por zbatimi në praktikë rezulton shumë i ulët.

Nga të dhënat e raportit rezulton se vetëm 18.5 për qind e masave organizative janë zbatuar, ndërsa për administrimin e fondeve financiare niveli i zbatimit është vetëm 4.7 për qind. Edhe më problematik paraqitet zbatimi i masave për përgjegjësi administrative, ku vetëm 0.7 për qind e masave disiplinore janë ekzekutuar.

KLSH thekson se në shumë raste rekomandimet kanë mbetur vetëm në dokumente, pa u shoqëruar me masa konkrete, plane veprimi apo përgjegjësi të përcaktuara.

Problematikat shfaqen në disa drejtori të rëndësishme të Kadastrës. Në Drejtorinë Tirana Veri, sipas raportit, pjesa më e madhe e rekomandimeve organizative dhe masave disiplinore nuk janë zbatuar. Në Tirana Rurale II, një numër i konsiderueshëm rekomandimesh për administrimin e fondeve dhe masave disiplinore kanë mbetur pa zbatim. Të njëjtat konstatime janë evidentuar edhe në drejtoritë e tjera të audituara, përfshirë Tirana Jug, Tirana Rurale I dhe Kamëz–Vorë.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga KLSH lidhet me vonesat në regjistrimin e vendimeve gjyqësore dhe vendimeve të Agjencisë së Trajtimit të Pronës. Sipas raportit, 27 mijë e 23 vendime vijojnë të mos jenë të regjistruara, ndërsa çështjet e pronësisë përbëjnë një përqindje të lartë të ankesave të qytetarëve.

Audituesit kanë evidentuar gjithashtu raste problematike në lidhje me tjetërsimin e pronave përmes dokumenteve dhe firmave të dyshuara si të falsifikuara, veçanërisht në zonat bregdetare, ku interesat ekonomike për pronat janë të larta.

Ndërkohë, çështjet e administrimit të pronave janë prej kohësh në fokus edhe të strukturave të drejtësisë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar hetime për raste që lidhen me prona, legalizime dhe regjistrime të dyshuara të paligjshme, përfshirë veprime hetimore në zona me interes të lartë turistik.

Raporti i KLSH-së ka rikthyer pyetjet mbi përgjegjësinë institucionale dhe nevojën për një kontroll më të thelluar mbi mënyrën se si menaxhohen dosjet e pronave në Shqipëri.

Tashmë pritet të shihet nëse gjetjet e auditimit do të shoqërohen me hapa të mëtejshëm institucionalë dhe nëse organet e drejtësisë do të ndërmarrin verifikime mbi përgjegjësitë konkrete të drejtuesve dhe strukturave që kanë pasur detyrimin për zbatimin e rekomandimeve.

Kadastra mbetet një nga institucionet më të ndjeshme në vend, pasi lidhet drejtpërdrejt me pronën, investimet dhe sigurinë juridike të qytetarëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME