Qeveria izraelite ka miratuar një paketë të gjerë mbështetëse për çdo peng të liruar nga paraburgimi i Hamasit, si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve në kuadër të planit të armëpushimit të ndërmjetësuar nga administrata Trump.
Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Sigurimeve të Izraelit, çdo peng që kthehet në atdhe do të marrë një kontribut fillestar financiar prej rreth 16 000 eurosh. Në fazën e parë, pengjet do të pajisen me një kartë të parapaguar me vlerë 1 000 euro, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formë parash.
Gjithashtu, të liruarve do t’u garantohet strehim falas. Banorët e zonave pranë Gazës do të përfitojnë strehim alternativ nëpërmjet Autoritetit të Rindërtimit, ndërsa ata që jetojnë në pjesë të tjera të vendit do të marrin një kontribut prej 66 000 eurosh për blerjen e një shtëpie.
Në mbështetje të procesit të rimëkëmbjes dhe riintegrimit, shteti do të ofrojë gjithashtu trajtime mjekësore falas deri në 1 600 euro në vit, si dhe kompensim financiar për një vit të plotë, ekuivalent me pagën që individi ka pasur përpara ngjarjeve të 7 tetorit 2023.
Ky program synon të lehtësojë rikthimin në jetën civile të qytetarëve që kanë kaluar muaj të vështirë në robëri dhe të mbështesë integrimin e tyre social e ekonomik.



