MENKULAS / DEVOLL , 13 tetor 2026 /Albania Express News/-Në 95-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, shtëpia e tij në Menkulas të Devollit shndërrohet në një hapësirë të re të kujtesës dhe trashëgimisë kulturore kombëtare. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Agollit në letërsinë shqipe, lidhjen e tij me vendlindjen dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor për brezat e ardhshëm.
Shtëpia-muze e shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, është hapur në Menkulas të Devollit, në një ceremoni të zhvilluar më 13 tetor 2026, në kuadër të 95-vjetorit të lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare.
Në këtë aktivitet mori pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit, duke theksuar se përmes krijimtarisë së tij, Agolli e bëri vendlindjen pjesë të pandashme të identitetit kulturor shqiptar dhe e njohu atë përtej kufijve të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj solli në vëmendje lidhjen e veçantë të shkrimtarit me vendlindjen, duke nënvizuar se jo të gjithë ata që largohen nga vendi ku lindin arrijnë ta bëjnë atë të njohur për botën.
“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Shtëpia-muze, një pasuri e re për trashëgiminë kulturore
Presidenti e cilësoi hapjen e shtëpisë-muze një akt mirënjohjeje kombëtare ndaj shkrimtarit, por edhe një investim me rëndësi për ruajtjen e historisë, identitetit dhe trashëgimisë kulturore të zonës së Devollit.
Sipas tij, kjo hapësirë e re do të shërbejë si një pikë referimi për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë që dëshirojnë të njihen më nga afër me jetën dhe veprën e Dritëro Agollit.
Begaj vlerësoi gjithashtu përgjegjësinë e komuniteteve lokale për të ruajtur dhe promovuar figurat e shquara që kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare.
Begaj: Dritëroi nuk i shihte njerëzit nga lart, ai qëndronte mes tyre
Duke folur për veçantinë e krijimtarisë së Agollit, Presidenti vuri në dukje aftësinë e shkrimtarit për të pasqyruar jetën e përditshme, ndjenjat dhe botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm.
Mjeshtëria e përdorimit të gjuhës shqipe, afërsia me lexuesin, humori dhe aftësia për të shprehur të vërteta shoqërore përmes letërsisë, sipas Kreut të Shtetit, e bënë Agollin një prej zërave më të dashur të kulturës shqiptare.
“Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”, theksoi Presidenti Begaj.
Krahas kontributit të tij letrar, Presidenti vlerësoi edhe rolin e Dritëro Agollit si intelektual dhe pjesëmarrës në debatet shoqërore, veçanërisht gjatë ndryshimeve të mëdha të viteve 1990.
Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në ruajtjen e kujtesës së shkrimtarit, duke nënvizuar rëndësinë që kjo shtëpi-muze ka për edukimin kulturor të brezave të rinj.

Takime në Bashkinë e Devollit dhe vizita në monumentet fetare
Përpara ceremonisë së hapjes së shtëpisë-muze, Presidenti Bajram Begaj u prit në Bashkinë e Devollit nga kryetari Eduard Duro dhe prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit i përgëzoi për nismat në shërbim të zhvillimit të zonës, duke vlerësuar gjithashtu shpirtin punëtor dhe sipërmarrës të banorëve të Devollit.
Në vijim të vizitës së tij në këtë zonë, Presidenti u ndal edhe në Teqenë e Inonishtit, në Kuç, si dhe në kishën e Shën Kollit, në Hoçisht, dy objekte fetare me vlera historike dhe kulturore për komunitetin dhe trashëgiminë e zonës.
Hapja e shtëpisë-muze të Dritëro Agollit përbën një mundësi të re për promovimin e jetës dhe veprës së shkrimtarit, si dhe për ta mbajtur të gjallë lidhjen mes letërsisë, historisë dhe vendlindjes së një prej figurave më të njohura të kulturës shqiptare.

Fjala e plotë e Presidentit Bajram Begaj
“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto.
Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre.
Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare.
Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”.

