Situata e zjarreve në disa nga njësitë administrative të Bashkisë Gramsh vijon të mbetet problematike, ndërsa forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga banorët dhe efektivët e Forcave të Armatosura, janë angazhuar maksimalisht për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.
Në Njësinë Administrative Skënderbegas, zjarri më i madh vijon të jetë aktiv në fshatin Ermenj, ku po digjet pylli në pjesën e sipërme të fshatit, në krahun lindor.

Sipas autoriteteve vendore, nëse nuk vihet nën kontroll, ekziston rreziku real që flakët të përhapen në territorin e Prefekturës së Korçës.
Gjatë natës, dy mjete zjarrfikëse dhe banorët e zonës kanë punuar për të mbrojtur fshatin nga përhapja e zjarrit nga krahu i poshtëm, ndërsa puna e tyre vijon edhe gjatë ditës së sotme.

Po në këtë njësi, përpjekje të vazhdueshme janë bërë gjatë natës së kaluar dhe mëngjesit të sotëm në pyllin me pisha që shtrihet në drejtim të fshatit Nartë.
Përpjekjet e koordinuara të forcave në terren kanë bërë të mundur ndërprerjen e përhapjes së vatrës në këtë drejtim, duke shmangur për momentin një përkeqësim të situatës.

Forca të shumta zjarrfikëse, përfshirë edhe trupa ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit, duke përqendruar ndërhyrjen në zonat më problematike dhe duke punuar për izolimin e flakëve.
Ndërkohë, një tjetër vatër problematike është ajo në Njësinë Administrative Kukur.

Edhe pse një pjesë e zjarrit është mbajtur nën kontroll gjatë natës,përhapja e flakëve vijon të jetë një shqetësim për autoritetet.
Për të përballuar situatën, gjatë ditës së sotme do të ndërhyjnë edhe 25 forca ushtarake nga DMR Elbasan, në mbështetje të strukturave të mbrojtjes civile dhe zjarrfikësve lokalë.

Në Njësinë Administrative Kodovjat, situata është më e qëndrueshme.
Vatra e zjarrit në këtë zonë është monitoruar vazhdimisht dhe deri më tani nuk janë raportuar riaktivizime, megjithëse monitorimi mbetet i pandërprerë për të garantuar parandalimin e përhapjes së mundshme të flakëve.

Autoritetet vendore bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie të reja në këtë periudhë të nxehtë dhe të thatë.
albaniaexpress.al

