Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë sot në aktivitetin “Shqipëria turistike 2030”, ku prezantoi vizionin për zhvillimin kulturor dhe turistik të vendit.
“Shqipëria është një ballkon i hapur mbi Mesdhe, një copëz toke e bekuar që bota po e zbulon me kureshtje, me entuziazëm dhe me dashuri”, u shpreh ministri, duke renditur avantazhet por edhe sfidat që e presin vendin në këtë drejtim.
Në fjalën e tij, Gonxhja theksoi se një vëmendje e madhe do t’i kushtohet ringritjes dhe transformimit të institucioneve kulturore. Teatri Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Arteve të Bukura, Biblioteka Kombëtare e zgjeruar dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të rilindin apo do të modernizohen. Përveç tyre, pritet të hapin dyert edhe muze të rinj si Muzeu Hebraik, Muzeu “Besa”, Muzeu i Filmit dhe Muzeu i Arbëreshëve, ndërsa një rrjet muzeumesh arkeologjike, etnografike dhe kinoteatrosh do të vendosen në qytetet kryesore të Shqipërisë.
Ministri foli gjithashtu për ngritjen e qendrave të reja të vizitorëve në Butrint, Apoloni dhe Bylis, si dhe për rijetësimin e 100 kullave historike në 14 bashki të vendit.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe pasurimi i kalendarit kulturor kombëtar. Vetëm këtë vit parashikohen mbi 3500 aktivitete, ose 52% më shumë se një vit më parë, me mbi 600 mijë vizitorë e spektatorë të pritshëm.
Sipas Gonxhes, ky investim i gjithanshëm në kulturë dhe trashëgimi synon jo vetëm të pasurojë jetën artistike të qytetarëve, por edhe të kthehet në një shtyllë të fortë të turizmit shqiptar.