TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, përcolli sot një mesazh urimi, duke vënë në vëmendje mikpritjen shqiptare dhe rolin e turizmit në promovimin e vendit në Evropë.
“Deri pak kohë më parë Evropa na njihte nga hartat. Sot na njeh nga oborri dhe tryeza e shtëpisë sonë”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Ministri theksoi se përvoja e vizitorëve të huaj në Shqipëri kontribuon në njohjen e identitetit, kulturës dhe traditave të vendit.
“Çdo vizitor evropian që ulet në një bujtinë në Theth, shëtit në Berat a lundron në brigjet e Jonit, kthehet në shtëpi duke ditur diçka që ne e dimë prej kohësh: ky vend është Evropë”, theksoi Gonxhja.
Në mesazhin e tij, ministri u drejtoi një urim të veçantë familjeve shqiptare që ruajnë traditën e mikpritjes, nga Vermoshi në Butrint.
“Sot dua t’i uroj tërë ata që hapin dyert nga Vermoshi në Butrint. Familjet që shtrojnë bukën për mikun. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, dhe miq paçi gjithmonë!”, u shpreh Gonxhja.

