Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” organizoi veprimtarinë me temë “Gjuha shqipe: trashëgimi, kujtesë dhe identitet”, një aktivitet i ideuar nga Departamenti i Gjuhësisë UNIEL pranë Fakultetit të Shkencave Humane.

Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës nga disa shkolla të mesme të qytetit, fitues të olimpiadave të gjuhës shqipe, si edhe studentë të programit “Bachelor në Gjuhë shqipe dhe letërsi”, të cilët prezantuan dhe interpretuan krijime të ndryshme letrare. Përmes poezive, eseve dhe interpretimeve artistike, të rinjtë dëshmuan talentin, pasionin dhe përkushtimin e tyre ndaj gjuhës amtare, duke e kthyer aktivitetin në një festë të vërtetë të fjalës shqipe.

Veprimtaria nisi me një takim në ambientet e Senatit Akademik, ku Rektorja e universitetit, Elvira Fetahu, e shoqëruar nga Zëvendësrektorja Blerina Papajani dhe Dr. Aurela Basha, përcolli mesazhe të forta motivuese për të rinjtë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, rektorja theksoi rëndësinë e arsimit cilësor dhe rolin thelbësor që gjuha luan në formimin e identitetit kombëtar. Ajo inkurajoi të rinjtë të bëjnë zgjedhje të guximshme dhe të ndërgjegjshme për të ardhmen e tyre, duke i ftuar të ndërtojnë rrugën akademike dhe jetësore në Shqipëri, me dinjitet dhe profesionalizëm.

Aktiviteti u shndërrua në një moment reflektimi dhe krenarie, duke rikujtuar se gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi, por trashëgimi, kujtesë historike dhe themel i identitetit tonë kombëtar.


