“Gërshërët u ndalën, por historia mbeti”, Librazhdi në zi për berberin legjendar Ferit Dobra

Librazhdi humbi një nga zanatçinjtë e tij më të njohur dhe më të dashur. Ferit Dobra, berberi i famshëm i qytetit, njeriu që për afro gjysmë shekulli i dha formë jo vetëm flokëve e mjekrave, por edhe kujtimeve të brezave të tërë, u nda nga jeta para kohe, në një moment kur po nisej nga Gjermania drejt Shqipërisë.

Feriti humbi jetën pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore që iu dha në një spital në Gjermani, ku kishte kaluar pushimet e fundvitit pranë familjes së djalit të tij, që jeton dhe punon atje. Lajmi i ndarjes së tij u përhap shpejt dhe tronditi jo vetëm familjen, por mbarë komunitetin librazhdas, për të cilin ai ishte më shumë se një berber ,ishte një simbol.

Këtë mesjavë, Ferit Dobra u përcoll për në banesën e fundit mes dhimbjes, respektit dhe nderimeve të shumta nga të afërmit, miqtë dhe bashkëqytetarët e tij. Ishte një përcjellje që fliste shumë ,për jetën e një njeriu të thjeshtë, por me një emër të madh, të ndërtuar ditë pas dite, me punë, përkushtim dhe dinjitet.

Ferit Dobra ishte kthyer në ikonën e berberit librazhdas. I madh e i vogël e njihte jo vetëm si profesionist, por si qytetar shembullor, familjar të përkushtuar, baba dhe gjysh të mrekullueshëm. Me buzëqeshjen e tij karakteristike dhe humorin e ngrohtë, ai dinte të fitonte zemrën e kujtdo që ulej në karrigen e tij.

Ai ishte një nga katër vëllezërit dhe dy motrat e familjes Dobra, një nga familjet e hershme dhe të nderuara të Librazhdit, që lidhen ngushtë me themelimin dhe historinë e qytetit. Familja e tij njihej si familje zanatçinjsh dhe tregtarësh të vegjël ,një vëlla këpucar, dy të tjerë tregtarë, një motër që nuk jeton më dhe tjetra e angazhuar po në biznes në qytet. Në këtë traditë pune dhe ndershmërie, Feriti e nisi rrugën e tij si berber që në adoleshencë dhe nuk iu nda profesionit për gati 50 vite, as edhe kur doli në pension.

Rrugëtimi i tij nuk ishte i lehtë. Si çdo jetë e mbushur me punë e përkushtim, pati gëzime, por edhe dhimbje të thella. Humbja e djalit të tij, Fjordit në një aksident shumë vite më parë ishte plaga më e rëndë dhe e pashërueshme, një dhimbje që e shoqëroi në heshtje deri në fund të jetës. Megjithatë, Ferit Dobra nuk e humbi kurrë dashurinë për profesionin dhe respektin për klientin.

Ai e dashuronte zanatin e berberit dhe e konsideronte si art. “Kam marak punën,” thoshte shpesh, duke theksuar se dëshira e tij ishte që çdo klient të ndihej mirë dhe krenar për shërbimin që merrte. Ai i kushtonte rëndësi çdo detaji, sepse për të, berberia nuk ishte thjesht të qethje flokët, por të krijoje një pamje, një ndjesi, një respekt për njeriun përballë.

Feriti ishte gjithmonë në hap me kohën. Fliste për trendet e reja, për mjekrën që kërkon kujdes, për modelet e flokëve që ndryshojnë shpejt, dhe për nevojën që edhe një berber me përvojë të mbetej pranë të rinjve, t’i kuptonte dhe t’u përshtatej. Kështu e mbylli karrierën e tij: me pasion, përkushtim dhe dashuri për zanatin.

Me ndarjen nga jeta të Ferit Dobrës, Librazhdi humbi një berber të shkëlqyer, por mbi të gjitha një njeri të mirë. Emri i tij do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit, në historitë e thëna nëpër dyqane, në kujtimet e atyre që u rritën duke u qethur tek ai, dhe në respektin e heshtur për një jetë të jetuar me ndershmëri.

U prehsh në paqe, Ferit Dobra. Librazhdi do të të kujtojë gjithmonë.

1 KOMENT

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fitore heroike e Egnatias, rrogozhinasit mposhtin Vllazninë dhe “flirtojnë” me titullin kampion

TIRANË,23 maj 2026/Albania Express News/Egnatia mposht Vllazninë në një...

Fieri hap në plazhin e Darëzezës sezonin e ri turistik veror

FIER,23 maj 2026/Albania Express News/ Mes një atmosfere festive...

PD Elbasan “blindon” votën , mbi 1100 anëtarë votojnë pro në referendumin për Berishën

ELBASAN,23 maj 2026/Albania Express News/Në degën e Partisë Demokratike...