Elbasani po kalon një moment mjaft pozitiv dhe kjo, sipas Mihal Gjikës, nuk është aspak rastësi. Ish-kapiteni historik i verdhebluve vlerëson balancën, disiplinën dhe shpirtin e skuadrës, duke theksuar se rezultatet dhe mënyra se si po vijnë tregojnë qartë identitetin e këtij ekipi.
“Është një Elbasan që më pëlqen, sepse në fund di të marrë edhe fitoren. Ka balancë, disiplinë dhe mbi të gjitha shpirt skuadre. Kur sheh rezultatet dhe mënyrën se si vijnë ato, kupton që kjo skuadër e di shumë mirë çfarë kërkon në fushë”, shprehet Gjika.
Sipas tij, fakti që Elbasani është pranë shpalljes kampion i dimrit ka një rëndësi të veçantë në aspektin psikologjik. “Kampioni i dimrit nuk të jep trofe, por të jep moral dhe besim. Është një sinjal i fortë për rivalët dhe për vetë skuadrën dhe mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt titullit”, nënvizon ai.
Gjika ndalet edhe te mbrojtja, që sipas tij është pika më e fortë e kësaj skuadre. “Një mbrojtje që nuk pëson është çelësi i suksesit. Sulmi fiton ndeshje, por mbrojtja fiton kampionate. Elbasani është i organizuar dhe nuk panikoset as në momentet e vështira”, thekson ish-kapiteni.
Ai paralajmëron se kujdesi më i madh duhet treguar në vazhdimësi, duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar. “Kampionatet nuk fitohen me emra apo renditje, por me përqendrim maksimal në çdo ndeshje. Çdo skuadër luan fort kundër ekipit kryesues dhe Elbasani duhet ta ketë këtë parasysh”, shton Gjika.
Duke folur për fitoret e vuajtura, veçanërisht atë ndaj Vorës, ai thekson rëndësinë e tyre në ndërtimin e karakterit. “Fitoret e vuajtura të bëjnë më të fortë. Një skuadër që di të fitojë edhe kur nuk luan mirë, tregon se është gati të përballojë çdo sprovë”, shprehet ai.
Sipas Gjikës, grupi mbetet elementi kyç për të shkuar deri në fund. “Duhet grup i fortë dhe lojtarë liderë që marrin përgjegjësi në momentet e vështira. Pa grup nuk mjaftojnë as taktikat dhe as talenti. Elbasani e ka këtë element”, vlerëson ish-kapiteni.
Sa i përket objektivit final, Gjika shprehet optimist, por i kujdesshëm. “Nëse vazhdon me këtë mentalitet, Elbasani mund të shpallet kampion, por rruga është e gjatë. Duhet qetësi, përulësi dhe punë e përditshme”.
Në fund, ai ka edhe një mesazh për tifozët verdheblu: “Tifozët janë një pasuri e madhe. Shpresoj të vazhdojnë ta mbështesin skuadrën dhe ta shohim sërish stadiumin plot, sepse kjo skuadër mund të arrijë gjëra të mëdha”.

