FRANCË ,13 korriku 2026/Albania Express News/-Zjarrfikësit në Francë po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një zjarr të madh pyjor në pyllin Fontainebleau, rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ai të jetë shkaktuar qëllimisht.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, deklaroi se janë identifikuar rreth 10 pika të ndryshme ndezjeje brenda një perimetri prej një kilometri, një fakt që, sipas tij, ngre dyshime për zjarrvënie të qëllimshme. Flakët kanë përfshirë rreth 800 hektarë pyje dhe kanë shkaktuar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore veri-jug të Francës.
Për herë të parë, autoritetet kanë dërguar avionë zjarrfikës nga jugu i Francës për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në rajonin e Parisit. Në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi.
Zjarret kanë shkaktuar probleme edhe në transport. Një tjetër vatër zjarri bllokoi një autostradë në lindje të Parisit dhe ndërpreu përkohësisht një linjë të trenit me shpejtësi të lartë, ndërsa udhëtarët në stacionin Gare de Lyon janë përballur me vonesa deri në gjashtë orë.
Sipas autoriteteve franceze, që nga fillimi i vitit zjarret kanë djegur rreth 25 mijë hektarë tokë. Ndërkohë, vala e tretë e të nxehtit që ka përfshirë Francën këtë verë ka detyruar mbylljen e përkohshme të tre centraleve bërthamore dhe ka ndikuar edhe në garën çikliste Tour de France, ku një etapë u shkurtua për shkak të temperaturave që iu afruan 40 gradë Celsius.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po shtojnë intensitetin dhe shpeshtësinë e valëve të të nxehtit në Evropë, kontinenti që po ngrohet më shpejt se çdo rajon tjetër në botë.

