Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës (ASHK) Tiranë, pasi dyshohet se favorizoi ndërtimet jashtë lejeve duke i shkaktuar miliona lekë dëm shtetit nga shmangia e taksave.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë njoftoi sot se, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasen E.G., ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës (ASHK) Tiranë, e akuzuar për ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, si dhe shtetasin Sh.B. i akuzuar për ‘Ndërtim të paligjshëm’ dhe ‘Mashtrim’.
Hetimet, sipas njoftimit, vërtetuan se në rrugën e ‘Bogdanëve’ ka pasur ndërtime me ndryshim destinacioni në kundërshtim me lejen e dhënë. Sipërfaqja e ndërtuar jashtë lejes e përcaktuar nga akt-ekspertimi teknik është 2240 m². Për këtë sipërfaqe, taksa e ndikimit në infrastrukturë është llogaritur në shumën 24.998.400 lekë, shumë më e lartë se ajo e paguar në bazë të dokumenteve të falsifikuara.
Nga hetimet rezultoi se nga veprimet e shtetases E. G., në cilësinë e drejtoreshës së ASHK-së Tiranë Veri, janë përpiluar dhe nënshkruar dokumente pa kryer matje në terren, duke u raportuar sipërfaqe shumë më të vogla nga ato reale. Këto veprime kanë sjellë përfitim të padrejtë për subjektin ndërtues dhe dëm të interesit publik.
Nga sa më sipër, rezultoi e provuar se nga ana e shtetases E. G. janë konsumuar elementet e veprës penale të “falsifikim i vulave, stampave ose formulareve”, pasi pa bërë matje në teren ka urdhëruar pagesën e taskës e infrastrukturës dhe sipas saj, sipërfaqja totale e objektit shtesë që do të legalizohej është 80.5 m2. Kur nga akti i ekspertimit sipërfaqja e ndërtimit jashtë lejes së ndërtimit, është 2240m2 si dhe është konsumuar vepra penale ‘Shpërdorim detyre’.
Ndërkohë, shtetasi Sh.B. ka konsumuar elemente të veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” në kushtet e shkeljes së lejes së ndërtimit për qëllim fitimi.