Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane dhe Interpol-in, ka arritur të kapë në Itali dy vëllezër të dënuar për vrasje, të cilët kishin shpëtuar drejtësisë për më shumë se 20 vite.
Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç, ishin dënuar në vitin 2001 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ata kishin vrarë më 12 shtator 1999 shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, S. M., në një akt të dhunshëm gjakmarrjeje.
Pas kryerjes së krimit, të arrestuarit u larguan në Itali duke përdorur identitete false – Artur Mehilli si “Artur Davidhi” dhe Arben Mehilli si “Arben Gjermeni” – për të siguruar leje qëndrimi.
Identifikimi i tyre është rezultat i përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në përdorim nga Interpol Tirana, dhe i shkëmbimit të informacionit në kohë reale me homologët italianë. Ky sukses është pjesë e një serie operacionesh ndërkombëtare, që pasqyrojnë besueshmërinë dhe profesionalizmin e strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunimin me partnerët evropianë.
Momentalisht vijon bashkëpunimi me autoritetet italiane për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy të arrestuarve drejt Shqipërisë, ku do të vuajnë dënimet e tyre të plota.
Ky rast tregon fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke dërguar një mesazh të qartë se drejtësia nuk harron.

