RROGOZHINË , 20 gusht 2026/Albania Express News/-Egnatia ka hyrë tashmë në historinë e futbollit shqiptar, pasi kampionët në fuqi kanë siguruar një vend në fazën e ligës së Conference League. Megjithatë, aventura europiane e rrogozhinasve nuk përfundon këtu. Egnatia vijon të luftojë për një vend në fazën e ligës së Europa League dhe sot, në orën 19:00, do të presë në “Arena Egnatia” skuadrën norvegjeze të Lillestromit, në sfidën e parë të play-off-it.
Në prag të kësaj përballjeje, trajneri i Egnatias, Nevil Dede, ka përcjellë besim dhe ambicie, duke theksuar se skuadra e tij nuk ka ndërmend të jetë thjesht pjesëmarrëse në këtë fazë të kompeticionit.
Dede deklaroi se objektivi fillestar për të siguruar fazën e ligës së Conference League është përmbushur, por tashmë oreksi është shtuar dhe Egnatia synon të shkojë edhe më tej.
“Objektiva njeriu ka gjithmonë. Ne atë që kishim deklaruar, pra klubi, presidenti dhe unë bashkë me djemtë, ishim të bindur që në fazën e ligës së Conference League duhet të shkonim patjetër, sepse e meritonin djemtë. Tani na ka dalë përpara një objektiv akoma më i madh, siç është Europa League.
Është një event i madh për të gjithë futbollin shqiptar, jo vetëm për çunat tanë, por për gjithë komunitetin e futbollit. Ne e dimë çfarë mund të bëjmë, çfarë lojtarësh kemi dhe duam ta kemi përsëri si objektiv këtë tur të Europa League. E dimë që mund të bëjmë akoma më mirë.
Djemtë kanë kapacitete dhe po e shohin realisht forcën e tyre. Besoj që këto janë armët tona më të forta: kapiteni, eksperienca dhe qetësia në këtë grup”, u shpreh trajneri i Egnatias.
Sa i përket përballjes me Lillestromin, Dede nënvizoi se skuadra e tij ka mbërritur deri në këtë pikë me meritë dhe se eliminimi nga Champions League erdhi pas një serie ndeshjesh ku Egnatia nuk pësoi humbje në kohën e rregullt.
“Kemi ardhur deri këtu me meritë, ndoshta meritonim diçka më shumë. Ne nuk marrim pjesë në Champions sepse kemi humbur në penallti. Nuk kemi humbur ndeshje, jemi eliminuar pa humbje.
Nuk jemi spektatorë. Nuk kemi ardhur në play-off të Europa League për shëtitje. Unë mendoj se e meritojmë”, deklaroi Nevil Dede.
Me këtë qasje, Egnatia synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve në “Arena Egnatia”, në një sfidë që mund t’i afrojë edhe më shumë kampionët shqiptarë me një tjetër arritje historike në arenën europiane.

