TIRANË , 21 gusht 2026/Albania Express News/-Pogradeci do të jetë këtë fundjavë dhe në nisje të javës së ardhshme qendra e një prej takimeve më të rëndësishme politike të Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë në një seri takimesh drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve në varësi të tyre. Në fokus do të jetë performanca e qeverisë, dokumentet e brendshme të PS-së, por edhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Ditët e fundit të gushtit po shoqërohen me lëvizje intensive në Partinë Socialiste, ndërsa mazhoranca përgatitet për nisjen e sesionit të ri politik. Edi Rama ka planifikuar një agjendë të ngjeshur, me dy ditë takimesh në Pogradec, të cilat pritet të shërbejnë edhe si një test për funksionarët socialistë dhe kabinetin qeveritar.
Të dielën, në orën 11:30, në vilën qeveritare të Pogradecit pritet të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në qendër të diskutimeve do të jenë dy dokumente të brendshme të partisë, të njohura si “Besa” dhe “Prania e Besës”, të cilat i janë dorëzuar grupit parlamentar socialist në fund të muajit korrik.
Rama pritet të marrë nga ky takim reflektimet e drejtuesve politikë dhe parlamentarë mbi këto dokumente, me synimin për t’i pasuruar ato dhe për të shkuar drejt një dokumenti përfundimtar. Krahas diskutimeve të brendshme politike, në tavolinë pritet të jetë edhe përgatitja e strukturave socialiste për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Darka para “provimit”
Axhenda e së dielës nuk do të përfundojë me takimin politik.
Në mbrëmje, Rama pritet të zhvillojë një darkë me drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare dhe ministrat e kabinetit.
Takimi informal pritet të shërbejë edhe për shtensionimin e klimës politike dhe për koordinimin e mëtejshëm përpara asaj që konsiderohet si “provimi i performancës” së qeverisë.
Ky “provim” pritet të zhvillohet të hënën, po në Pogradec, në kuadër të një mbledhjeje informale të qeverisë, të njohur si “retreat”.
Ministrat do të raportojnë për 8 muajt e parë të vitit
Në këtë mbledhje, ministrat do të raportojnë për ecurinë e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Ndryshe nga retreat-et e mëparshme, këtë herë nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Në takim do të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Rama pritet t’u kërkojë ministrave një bilanc të punës së kryer gjatë tetë muajve të parë të vitit, duke u ndalur te objektivat e realizuara, problematikat e hasura dhe prioritetet për muajt e mbetur të vitit.
Një tjetër element që pritet të jetë pjesë e raportimit është edhe performanca publike e ministrave. Sikurse në retreat-et e mëparshme, vëmendje do t’i kushtohet prezencës mediatike dhe aktivitetit në rrjetet sociale.
Pra, përtej rezultateve konkrete të dikastereve, ministrat do të vlerësohen edhe për mënyrën se si i komunikojnë punët dhe politikat e qeverisë me publikun.
Asambleja Kombëtare në shtator, në horizont ndryshimet në qeveri?
Sprinti politik i Edi Ramës nuk pritet të përfundojë me takimet e Pogradecit.
Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se, me shumë gjasa, në javën e parë të shtatorit do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.
Kjo mbledhje merr një rëndësi të veçantë për shkak të precedentëve të mëparshëm. Asambletë socialiste janë përdorur në disa raste nga Edi Rama edhe si moment për të paralajmëruar apo zyrtarizuar ndryshime në kabinetin qeveritar.
Pikërisht për këtë arsye, në selinë rozë dhe në radhët e mazhorancës kanë nisur prej ditësh diskutimet mbi mundësinë e një riformatimi të qeverisë.
Pyetja që mbetet për t’u parë është nëse Rama do ta përdorë Asamblenë e shtatorit për të ndryshuar drejtimin e disa ministrive.
Në skenarin që po qarkullon në korridoret e politikës, flitet për mundësinë e ndryshimeve në të paktën gjashtë ministri, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për emrat apo dikasteret që mund të preken.
Gjithçka pritet të varet nga bilanci që Rama do të marrë nga takimet e Pogradecit dhe nga vlerësimi i performancës së secilit ministër.
Kështu, dy ditët në Pogradec mund të shërbejnë jo vetëm si një bilanc i punës së qeverisë, por edhe si një filtër për vendimet që Kryeministri mund të marrë në fillim të shtatorit.
Ethet e gushtit në Partinë Socialiste tashmë janë kthyer në një numërim mbrapsht: nga “provimi” i ministrave në Pogradec te mbledhja e Asamblesë Kombëtare, ku mund të zbulohet nëse mandati i katërt i qeverisjes socialiste do të shoqërohet edhe me një riformatim të kabinetit.

