TIRANË, 26 shtator 2026 /Albania Express News/- Eric Wendt ka marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, pas dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Ambasadori i ri amerikan mbërriti mëngjesin e sotëm në Pallatin e Brigadave, ku zhvilloi ceremoninë zyrtare të paraqitjes së kredencialeve para Presidentit Begaj, duke nisur kështu zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri.
Wendt mbërriti në Shqipëri një ditë më parë, me fluturimin OS573, dhe u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nga drejtues të protokollit të shtetit dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së.
Pas rreth 20 minutash qëndrimi në terminalin VIP të aeroportit të Rinasit, ambasadori i ri amerikan u nis drejt Tiranës, duke bërë ndalesën e parë në selinë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Rrugën e Elbasanit.
Në ditët në vijim pritet që Wendt të zhvillojë takimet e para institucionale me autoritetet shqiptare. Në agjendën e tij është parashikuar edhe një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Ndërkohë, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupit diplomatik dhe aktorëve të ndryshëm politikë e shoqërorë.
Katër prioritetet e mandatit të Wendt
Gjatë dëgjesës së tij në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt prezantoi katër prioritete që, sipas tij, do të udhëheqin misionin diplomatik në Shqipëri.
Prioriteti i parë lidhet me mbrojtjen e qytetarëve amerikanë dhe avancimin e interesave të Shteteve të Bashkuara, përfshirë mbështetjen për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Prioriteti i dytë ka të bëjë me mbështetjen e progresit të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Në fokusin e tij është edhe diplomacia ekonomike dhe tregtare, me synimin për forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e përfitimeve ekonomike për qytetarët e të dy vendeve.
Prioriteti i katërt lidhet me stafin e Ambasadës Amerikane dhe mënyrën e funksionimit të saj, përmes një qasjeje që Wendt e ka përshkruar si “Faktorët njerëzorë”, duke synuar kombinimin e praktikave standarde me mënyra kreative të punës.
Pas një vakumi diplomatik trevjeçar
Eric Wendt nis misionin e tij diplomatik në Shqipëri pas një periudhe rreth trevjeçare pa një ambasador amerikan të konfirmuar në detyrë, që prej përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.
Emërimi i Wendt vjen në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, me bashkëpunimin dypalësh të përqendruar në sigurinë dhe mbrojtjen, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, integrimin evropian të Shqipërisë dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

