TIRANË, 26 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar nisjen e detyrës së ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, si edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rubrikën e komunikimit në Facebook, Berisha u pyet nëse është ftuar në ceremoninë që Ambasada e SHBA-së pritet të organizojë më 2 tetor për prezantimin e ambasadorit të ri amerikan.
Kreu i PD-së tha se nuk ka dijeni për ceremoninë, ndërsa i uroi mirëseardhjen ambasadorit Wendt.
“E uroj mirëseardhjen ambasadorit, nuk kam asnjë dijeni për ceremoninë”, u shpreh Berisha.
Berisha u pyet gjithashtu në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj për të diskutuar situatën e krijuar pas zhvillimeve që lidhen me ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni.
Lidhur me këtë mbledhje, Berisha deklaroi se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë.
“Nuk kam marrë asnjë ftesë”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur Shqipëria ka nisur zyrtarisht procesin e pritjes së ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt, i cili më 26 shtator i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i SHBA-së në Tiranë.

