Emigrimi i mjekëve shqiptarë po shndërrohet në një kërcënim serioz për funksionimin e sistemit shëndetësor në vend. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 150 mjekë largohen çdo vit nga Shqipëria, një shifër që pothuajse barazohet me numrin e të diplomuarve çdo vit në universitetin publik të mjekësisë.
Studiuesit vënë në dukje se mbi 22% e mjekëve të trajnuar në Shqipëri punojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani dhe Itali. Numri i Certifikatave të Mirëqenies Profesionale, të domosdoshme për punë jashtë, është rritur vazhdimisht nga 2013 deri në 2023. Gjermania, veçanërisht pas vitit 2015, ka njohur diplomat shqiptare dhe ka ofruar procedura të shpejta punësimi, duke e bërë destinacionin kryesor të mjekëve të rinj.
Migrimi i stafit të shëndetësisë ka dobësuar kapacitetet për të ofruar shërbime, veçanërisht në spitalet periferike dhe zonat rurale. Megjithëse qeveria ka rritur pagat, diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve si Gjermania mbetet e madhe, duke ruajtur tendencën për largim. Ekspertët paralajmërojnë se emigrimi do të vazhdojë, dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e stimujve për kthim janë vendimtare për të shmangur boshatisjen e spitaleve.