NGA FATMIR POPJA
ELBASAN.3 maj 2026/Albania Express News:Në një atmosferë të mbushur me emocion, krenari dhe ndjenjë të thellë përkatësie, shtëpia e familjes së z.Lefter Hodaj dhe lagjja e njohur e Xhaxhurëve në qytetin e Elbasanit u kthye këtë fundjavë në një skenë simbolike të kulturës dhe traditës shqiptare. Në hyrje të portës së shtëpisë së tij, u zhvillua një ceremoni e veçantë dhe madhështore për vendosjen e një pllakate përkujtimore, e cila tashmë i jep një dimension të ri kësaj dere të njohur për mikpritjen dhe shpirtin e saj bujar .
Në pllakatë është gdhendur mesazhi:
“Konaku ‘Hodaj’, Vatër e Poetëve dhe Artistëve – Nga Misioni Kujtesë për Vazhdimësi”, një frazë që përmbledh jo vetëm historinë e kësaj familjeje tejet të ndetuar të qytetit të Elbasanit, por edhe rolin e saj si një pikë referimi për kulturën, artin ,sportin dhe lidhjet njerëzore.

Ceremonia mblodhi dhjetëra të ftuar nga Shqipëria, trevat shqiptare dhe diaspora, duke e kthyer këtë ngjarje në një takim të rrallë vlerash dhe personalitetesh. Mes të pranishmëve spikatën emra të njohur të artit, medias dhe komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit, si tenori i mirënjohur Kastriot Tusha, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa, peloetja dhe artistja gjakovare e ardhur nga Zvicra ,Shqipe Bytyçi, zv/presidentja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Itali Mimoza Leskaj, si dhe sipërmarrës dhe figura të njohura të diasporës shqiptare në Greqi si Andrea Ferizi, Ardian Daullja dhe Arjan Tollumi.
Atmosfera ishte sa festive, aq edhe reflektuese. Fjalët, përqafimet dhe kujtimet u ndërthurën natyrshëm, duke e kthyer këtë ceremoni në një moment të rrallë bashkimi shpirtëror.
Tenori Kastriot Tusha u shpreh i emocionuar:
“Ky nuk është thjesht një konak. Është një tempull i vogël i shpirtit shqiptar, ku arti dhe mikpritja jetojnë së bashku. Familja Hodaj ka ditur të ruajë një traditë që sot meriton të nderohet publikisht.”
Ndërsa Aleksandër Çipa theksoi rëndësinë e këtij akti:
“Vendosja e kësaj pllake është një akt kujtese dhe përgjegjësie. Është një mënyrë për të thënë se vlerat nuk duhet të harrohen, por të trashëgohen. Konaku ‘Hodaj’ është një institucion në vetvete.”
Poetja Shqipe Bytyçi, e ardhur nga Zvicra, u ndal tek dimensioni emocional:
“Ndjehem si në shtëpi. Kjo derë ka një energji të veçantë, një ngrohtësi që të bën të kuptosh se rrënjët tona janë gjithmonë të gjalla.”
Nga Italia, Mimoza Leskaj vlerësoi rolin kulturor të kësaj familjeje:
“Këto janë vatrat që mbajnë gjallë identitetin tonë. Nuk janë vetëm mure, por histori, kujtime dhe frymëzim për brezat që vijnë.”
Ndërkohë, përfaqësuesit e diasporës në Greqi, Andrea Ferizi, Ardian Daullja dhe Arjan Tollumi, theksuan rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me vendlindjen:
“Kjo derë është simbol i asaj që ne përfaqësojmë jashtë ,mikpritje, kulturë dhe krenari shqiptare.”
Në qendër të kësaj ngjarjeje qëndronte vetë z. Lefter Hodaj, i cili me një emocion të dukshëm falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh se kjo pllakatë është një nder i madh për familjen e tij:
“Kjo derë ka qenë gjithmonë e hapur dhe kështu do të mbetet. Kjo pllakatë nuk është vetëm për ne, por për të gjithë ata që kanë hyrë dhe do të hyjnë në këtë konak. ‘Konaku Hodaj’ do të mbetet përherë vatër e poetëve, artistëve dhe çdo njeriu të mirë.”
Shtëpia e familjes Hodaj në qytetin e Elbasanit , tashmë e pagëzuar simbolikisht si një vatër arti dhe kulture, nuk është thjesht një banesë e njohur në këtë qytet. Ajo është një institucion i gjallë i mikpritjes shqiptare, një pikë takimi ku ndër vite janë ndarë ide, janë krijuar miqësi dhe është ushqyer arti,kultura , sporti dhe gjithçka që të mbush me energji pozitive.
Ky aktivitet nuk ishte vetëm një ceremoni përkujtimore, por një mesazh i fortë për ruajtjen e traditave, për vlerësimin e njerëzve që kontribuojnë në komunitet dhe për vazhdimësinë e një kulture që jeton përmes njerëzve dhe kujtesës së tyre.


