Elbasani në qendër të Evropës shkencore! Universiteti “Aleksandër Xhuvani” mirëpret konferencën ndërkombëtare për etikën në demencë me ekspertë nga mbi 20 vende

ELBASAN ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Elbasani do të kthehet në vjeshtë në një pikëtakim të rëndësishëm të shkencës dhe kërkimit ndërkombëtar, teksa Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, përmes Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, do të organizojë konferencën ndërkombëtare “EDEM Conference – Ethics in Dementia”, aktiviteti përmbyllës i rrjetit prestigjioz evropian COST Action CA21137 – Ethics in Dementia.

Ky organizim përfaqëson një arritje të rëndësishme për universitetin dhe për gjithë komunitetin akademik shqiptar, duke sjellë në Elbasan studiues, profesorë, ekspertë të etikës, profesionistë të shëndetësisë dhe politikëbërës nga më shumë se 20 vende të botës. Konferenca do të zhvillohet në kuadër të Muajit Botëror të Alzheimerit, me fokus promovimin e kërkimit shkencor, rritjen e ndërgjegjësimit për demencën dhe trajtimin e sfidave etike që shoqërojnë kujdesin ndaj personave të prekur nga kjo sëmundje.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin leksione plenare, panele diskutimi dhe prezantime shkencore nga disa prej emrave më të njohur ndërkombëtarë në fushën e etikës biomjekësore dhe kërkimit mbi Alzheimerin. Në qendër të diskutimeve do të jenë çështje me rëndësi të veçantë si respektimi i autonomisë dhe dinjitetit të pacientëve, vendimmarrja klinike, roli i familjes në kujdesin ndaj të sëmurëve, përdorimi i teknologjisë në shërbim të pacientëve, si dhe politikat evropiane që lidhen me demencën.

Një rol kyç në organizimin e këtij aktiviteti ka Prof. as. dr. Elona Gaxhja, Drejtuese e Departamentit të Infermieristikës në Universitetin e Elbasanit, e cila ka qenë pjesë aktive e rrjetit evropian EDEM dhe do të shërbejë si organizatore lokale e konferencës. Angazhimi i saj dhe i stafit akademik dëshmon për përkushtimin e universitetit në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Zhvillimi i konferencës “EDEM Conference – Ethics in Dementia” në Elbasan nuk është vetëm një ngjarje akademike e nivelit të lartë, por edhe një vlerësim i rëndësishëm për Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe për Shqipërinë. Ky aktivitet forcon pozicionin e universitetit në rrjetet shkencore evropiane, nxit shkëmbimin e njohurive mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe promovon Elbasanin si një qendër në rritje të konferencave dhe aktiviteteve shkencore me ndikim në nivel evropian.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME