Elbasani dhe Universiteti i tij janë sot një hapësirë ku gratë dhe vajzat e shkencës bashkohen për të ndërtuar të ardhmen.

Forumi i zhvilluar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” nuk ishte vetëm një aktivitet akademik. Ishte një takim energjish, përvojash dhe vizionesh që u mishëruan përmes figurave të jashtëzakonshme të panelisteve , gra që sot janë pjesë aktive e drejtësisë, politikës, sigurisë, inovacionit, biznesit, shoqërisë civile dhe qeverisjes vendore.

Secila prej tyre solli në këtë forum jo vetëm një titull institucional, por mbi të gjitha një histori përkushtimi, profesionalizmi dhe lidershipi.

Paneli I – Gratë në sistemin e drejtësisë

Znj. Aulona Bylykbashi, anëtare e Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike, solli perspektivën e ligjvënies dhe rolin e grave në forcimin e shtetit të së drejtës.

Znj. Ermira Manelli, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ndau përvojën e saj nga terreni i drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e integritetit profesional dhe përgjegjësisë morale në ushtrimin e detyrës.

Znj. Gloria Lleshanaku, alumni dhe asistente lektore në Universitetin e Elbasanit, përfaqësoi urën mes brezave – dëshmi se universiteti prodhon profesioniste që rikthehen për të kontribuar në formimin e të tjerëve.

Znj. Ilva Hamzaj, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan, foli për sfidat institucionale dhe nevojën për standarde të larta etike në vendimmarrje.

Ndërsa Znj. Juelda Lamçe, Këshilltare Ligjore e Kabinetit në SPAK, solli një këndvështrim kombëtar mbi luftën kundër korrupsionit dhe rolin e grave në institucionet kyçe të drejtësisë së re.

Ky panel dëshmoi se drejtësia shqiptare sot ka fytyrën e profesionalizmit dhe seriozitetit të grave që e ushtrojnë atë me vendosmëri.

Paneli II – Vendimmarrja publike, siguria dhe zhvillimi ekonomik

Znj. Bora Muzhaqi, Zv.Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, theksoi rolin e grave në proceset integruese dhe diplomacinë parlamentare.

Znj. Ledia Canga, Eksperte e Lartë e Rrezikut Kibernetik dhe GRC në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, solli në vëmendje një nga sfidat më moderne të kohës – sigurinë dixhitale – duke treguar se gratë janë protagoniste edhe në fushat më teknike dhe strategjike.

Znj. Ledi Moisiu, Drejtuese e Qendrës Rajonale të Inovacionit për Lëndët e Para Minerale, foli për inovacionin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Znj. Sara Mila, anëtare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe një nga nismëtaret e këtij forumi, nënvizoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në vendimmarrje dhe bashkëpunimin mes institucioneve.

Nga dimensioni ndërkombëtar erdhi Znj. Valentina Marku, Drejtuese Ekzekutive e Këshillit të Biznesit Shqiptar në Abu Dhabi, e cila solli një perspektivë globale mbi sipërmarrjen dhe rrjetëzimin ekonomik.

Ky panel tregoi se vendimmarrja publike dhe zhvillimi ekonomik janë më të qëndrueshme kur përfshijnë zërin dhe ekspertizën e grave.

Paneli III – Barazia gjinore dhe përfshirja sociale

Znj. Ardiana Kasa, Drejtore Programesh në Shoqatën “Tjetër Vizion”, theksoi rëndësinë e politikave konkrete për mbështetjen e grave dhe vajzave në nivel komuniteti.

Znj. Imelda Sejdini, hartuese e Planit të Barazisë Gjinore në Universitetin e Elbasanit, paraqiti përvojën institucionale në ndërtimin e një kulture akademike gjithëpërfshirëse.

Znj. Marsida Hyseni, Drejtore e Drejtorisë Rajonale të AKPA-së Elbasan, foli për punësimin dhe integrimin në tregun e punës si një hallkë kyçe e fuqizimit ekonomik të grave.

Znj. Shpresa Banja, Drejtuese Ekzekutive e “Forumit të Gruas Elbasan”, solli zërin e shoqërisë civile dhe angazhimin e saj për përfshirjen sociale.

Paneli IV – Edukimi, mbrojtja sociale dhe qeverisja vendore

Znj. Alma Tandili, Drejtore e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, foli për mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe ndërtimin e politikave të qëndrueshme sociale.

Znj. Ermira Urupi, Kryetare e Këshillit të Qarkut Elbasan, theksoi rolin e grave në qeverisjen vendore dhe koordinimin institucional.

Znj. Evis Kushi, Zv.Kryetare e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, trajtoi sfidat e arsimit dhe nevojën për politika arsimore të orientuara drejt barazisë.

Znj. Klaudia Krasnika, Zv.Kryetare e Bashkisë Elbasan, solli përvojën e administrimit vendor dhe shërbimeve publike gjithëpërfshirëse.

Ndërsa Prof. Teuta Toska, lektore në Universitetin e Elbasanit dhe figurë e njohur e kërkimit shkencor, përforcoi dimensionin akademik të forumit, duke e lidhur barazinë gjinore me cilësinë e dijes dhe prodhimin shkencor.

Ky forum nuk do të kishte peshën dhe ndikimin e tij pa praninë e këtyre grave. Ato nuk erdhën thjesht si përfaqësuese institucionesh, por si modele frymëzimi për maturantet dhe studentet e pranishme në sallë.

Në fund, mesazhi ishte i qartë: kur gratë janë pjesë aktive e drejtësisë, politikës, ekonomisë, arsimit dhe inovacionit, shoqëria ecën më shpejt, më drejt dhe më e barabartë.

Ky forum dëshmoi se Elbasani dhe Universiteti i tij janë sot një hapësirë ku këta zëra bashkohen për të ndërtuar të ardhmen.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...