Elbasani ka siguruar një nga asetet më të çmuara të skuadrës për të ardhmen. Klubi verdheblu njoftoi zyrtarisht rinovimin e kontratës me Ibrahima Sori Diallo, sulmuesin 22-vjeçar që ka shkëlqyer në këtë nisje të sezonit. Senegalezi do të vazhdojë të jetë pjesë e elbasanasve të paktën deri në vitin 2027, duke konfirmuar kështu se është kthyer në një nga pikat më të forta të ekipit.
Diallo u bashkua me Elbasanin në shkurt të këtij viti dhe kontrata e mëparshme i skadonte në fund të sezonit 2025/26. Performancat e tij bindëse, golat dhe impakti në fazën ofensive bënë që klubi të mos rrezikonte aspak dhe të vepronte menjëherë për të siguruar vazhdimësinë.

Sulmuesi ka nisur sezonin me vrull të madh: deri tani numëron katër gola dhe është shndërruar në lider të repartit ofensiv. Aktivizimi i tij i qëndrueshëm dhe cilësia në vendimet e fundit e kanë bërë Diallon të kthehet në yllin e ri të skuadrës, një lojtar që po e justifikon plotësisht besimin e klubit dhe tifozëve.
Në njoftimin zyrtar, Elbasani shkruan:
“Ibrahima Sory Diallo vazhdon rrugëtimin me ekipin tonë! Forcë, besim dhe ambicie për sezonet që vijnë.”

Rinovimi me talentin senegalez është një sinjal i qartë se Elbasani synon të ndërtojë një projekt afatgjatë dhe të qëndrueshëm, me Diallon si një nga figurat kryesore të ardhmes.



