NGA FATMIR POPJA
Në Gllogjan të Deçanit, vendi ku qëndresa shqiptare është kthyer në histori dhe sakrifica në themel të lirisë, u zhvillua një aktivitet madhështor përkujtimor me rastin e 24 Marsit – një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në këtë atmosferë të ngarkuar me emocione, përpara mijëra qytetarëve, qindra ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe personaliteteve të njohura, u shënua edhe një moment i veçantë nderimi: dorëzimi i Stemës “Deçani” për elbasanasin Ismail Hodo (Hokaj).

Ky titull nderi, që përfaqëson simbolin e heroizmit, sakrificave dhe atdhedashurisë së bijve e bijave të Deçanit ndër shekuj, iu dorëzua nga Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të Hodos në promovimin e kauzës së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ismail Hodo (Hokaj), i cili jeton dhe punon në Hanover të Gjermanisë, është vlerësuar jo vetëm për angazhimin e tij në skenë si artist, por edhe për rolin e tij si një qytetar i denjë europian që ka mbështetur pa kursim çështjen kombëtare shqiptare.

Gjatë ceremonisë, kryetari Ramosaj theksoi se kjo stemë nuk është thjesht një dekoratë, por një trashëgimi vlerash:
“Stema ‘Deçani’ përmban atdhedashurinë që përcillet brez pas brezi, heroizmin e popullit të Kosovës dhe luftën e tij për liri e pavarësi. Dorëzimi i saj për ju është krenari për ne, sepse ju keni bërë gjithçka që keni mundur për lartësimin e luftës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri i Kosovës dhe një nga figurat më të njohura të luftës, Ramush Haradinaj, nga familja e të cilit ranë dëshmorë disa djem e burra në luftën për liri, duke e bërë Gllogjanin një simbol të sakrificës dhe qëndresës shqiptare.
Pas marrjes së këtij vlerësimi të lartë, Ismail Hodo (Hokaj) u shpreh i emocionuar dhe mirënjohës ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Deçanit dhe mbarë Kosovës. Në një gjest simbolik dhe domethënës, ai ia dhuroi Stemën “Deçani” djalit të tij të vogël, duke përcjellë kështu vlerat tek brezi i ri. Ndërsa kryetari Ramosaj i la një porosi prekëse:

“Mos e harro amanetin e babait tënd dhe duaje me shpirt këtë vend.”
Aktiviteti përkujtimor i 24 Marsit rikujtoi sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe identitet. U përkujtuan me nderim të thellë dëshmorët Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët ranë në altarin e lirisë dhe mbeten pjesë e përjetshme e historisë kombëtare.

Po ashtu, kjo datë shënon edhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një kthesë historike drejt çlirimit të Kosovës.
Nga Gllogjani i krenarisë dhe sakrificës, shqiptarët përulen me respekt të thellë para të gjithë atyre që dhanë jetën për liri, ndërsa nderime si ai për Ismail Hodo (Hokaj) dëshmojnë se vlerat e kësaj sakrifice vijojnë të jetojnë dhe të përcillen ndër breza.


