Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit, në qarkun e Elbasanit po vijon zbatimi i programit “Siguria e të rinjve”, një nismë që synon rritjen e ndërgjegjësimit tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare për rregullat e qarkullimit rrugor dhe sjelljen e sigurt në rrugë.Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, aktivitetet e zhvilluara përfshinë sesione informuese dhe ushtrime praktike në terren, ku morën pjesë ndihmësspecialistja për Edukimin dhe Sigurinë në Shkolla, punonjës të Policisë së Qarkullimit Rrugor, stafi pedagogjik si dhe shërbimi psikosocial i shkollave.
Gjatë këtyre takimeve me nxënësit, u trajtuan në mënyrë të detajuar rregullat bazë të qarkullimit rrugor, mënyra e sjelljes së sigurt si këmbësorë, si dhe rreziqet që sjell mosrespektimi i sinjalistikës dhe rregullave të trafikut. Përmes shembujve praktikë dhe materialeve vizuale, efektivët e policisë theksuan rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm dhe përgjegjësisë individuale në rrugë.
Nxënësit u përfshinë aktivisht në diskutime, duke treguar interes të lartë dhe vetëdije në rritje për sigurinë e tyre personale dhe atë të bashkëmoshatarëve.
Policia e Shtetit thekson se këto aktivitete kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri, duke synuar parandalimin e aksidenteve rrugore dhe forcimin e kulturës së sigurisë që në moshë të hershme.

