ELBASAN, 1 shtator 2026 / Albania Express News / –Disa raste zjarresh janë shënuar gjatë fundjavës në territorin e Bashkisë Elbasan, ndërsa dy prej vatrave më problematike u regjistruan gjatë ditës së dielë në fshatin Qerret, në Njësinë Administrative Labinot-Mal, si dhe në zonën poshtë urës së lumit Shkumbin.
Në fshatin Qerret, situata u evidentua në kohë nga banorët e zonës, të cilët ndërhynë menjëherë për të izoluar përhapjen e flakëve. Më pas, në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse të Bashkisë Elbasan, të cilat vijuan operacionin deri në shuarjen e plotë të zjarrit.
Një tjetër vatër zjarri u raportua poshtë urës së lumit Shkumbin. Edhe në këtë rast, ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur izolimin e vatrës dhe shuarjen e saj, duke shmangur përhapjen e flakëve në zonat përreth.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se ditët në vijim mbeten problematike sa i përket rrezikut për përhapjen e zjarreve, për shkak të kushteve të favorshme për krijimin dhe përhapjen e vatrave të zjarrit.
Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet apel për maksimumin e kujdesit dhe vigjilencës, veçanërisht në zonat pyjore, kullota dhe hapësira me bimësi të thatë.
Ndër këshillat kryesore të autoriteteve janë:
- Të mos ndizen zjarre në ambiente të hapura, veçanërisht pranë pyjeve dhe zonave me bimësi të thatë.
- Të mos digjen mbetje, barishte apo materiale të tjera që mund të shkaktojnë përhapjen e zjarrit.
- Të mos hidhen bishta cigaresh apo materiale të ndezshme në tokë.
- Çdo vatër zjarri të shuhet plotësisht përpara largimit nga vendi.
- Materialet e thata dhe të ndezshme të mbahen larg burimeve të nxehtësisë.
- Çdo vatër zjarri, edhe nëse duket e vogël apo nën kontroll, të raportohet menjëherë te shërbimet përkatëse.
Në rast konstatimi të një vatre zjarri, qytetarët duhet të telefonojnë menjëherë në numrin 128. Një njoftim në kohë mund të ndihmojë në ndërhyrjen e shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe në parandalimin e përhapjes së flakëve dhe dëmeve më të mëdha.
Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin pranë Bashkisë Elbasan thekson se parandalimi, përgjegjshmëria dhe reagimi i shpejtë janë thelbësorë për përballimin e situatave të zjarreve gjatë kësaj periudhe.
“Përgjegjshmëria dhe reagimi i shpejtë janë përgjegjësi e të gjithëve.”








