PRISHTINË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Situata te përfaqësuesja e Kosovës vijon të jetë e tensionuar, ndërsa pas largimit të kapitenit Amir Rrahmani, numri i futbollistëve që kanë mbyllur aventurën me “Dardanët” ka shkuar në katër.
Në ditët e fundit, vëmendja është përqendruar te vendimi i Rrahmanit për t’u larguar nga përfaqësuesja dhe për të ndjekur rrugën ligjore ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Në këtë klimë, është diskutuar edhe mundësia që disa futbollistë të tjerë të ndiqnin të njëjtën rrugë.
Trajneri Franco Foda e ka mohuar një skenar të tillë, duke kërkuar që situata rreth Rrahmanit të mos dramatizohet. Megjithatë, ndërkohë Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar tërheqjen nga përfaqësuesja të dy veteranëve, Valon Berisha dhe Fidan Aliti.
Valon Berisha, 33 vjeç, e mbyll karrierën ndërkombëtare me 52 paraqitje dhe katër gola me fanellën e Kosovës. Mesfushori, i cili aktualisht aktivizohet te Zyrihu, në mesazhin e tij të lamtumirës ka theksuar se vendimi për të përfaqësuar Kosovën ishte një prej zgjedhjeve për të cilat do të jetë krenar gjatë gjithë jetës.
Berisha kujtoi edhe rrugëtimin e gjeneratës që ndërtoi përfaqësuesen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se pavarësisht se ëndrra e kualifikimit në një turne madhor nuk u realizua, skuadra dha gjithçka në fushë.
“Kur, një herë e ke veshur këtë fanellë, ajo nuk hiqet më kurrë prej teje”, shkroi Berisha në mesazhin e tij, duke falënderuar bashkëlojtarët, trajnerët, Federatën dhe tifozët “Dardanët”.
Edhe Fidan Aliti ka njoftuar fundin e aventurës me Kosovën. Mbrojtësi 32-vjeçar largohet pas 64 paraqitjeve me përfaqësuesen, duke e cilësuar përfaqësimin e Kosovës si një prej nderimeve më të mëdha të jetës së tij.
Aliti ka vlerësuar gjeneratën me të cilën, sipas tij, u hap një kapitull i ri në historinë e futbollit të Kosovës, ndërsa ka falënderuar familjen, bashkëlojtarët, trajnerët, Federatën dhe tifozët.
Në listën e futbollistëve që nuk do të jenë më pjesë e përfaqësueses është edhe Florent Hadërgjonaj, i cili e ka mbyllur kapitullin me Kosovën pas mosgrumbullimit nga trajneri Franco Foda.
Kështu, pas zhvillimeve të fundit, largimet e konfirmuara nga përfaqësuesja arrijnë në katër, duke shtuar pikëpyetjet rreth situatës brenda ekipit kombëtar, në një periudhë të rëndësishme të sezonit.
Kosova pritet të ketë një kalendar të ngjeshur me ndeshje ndërkombëtare, ndërsa vëmendja do të jetë edhe te mënyra se si këto ndryshime do të ndikojnë në përbërjen e skuadrës dhe planet e trajnerit Franco Foda.

