NGA REDI DANDALLAKU
POGRADEC ,01 shtator 2025 / Albania Express News /-Pogradeci ka mbyllur fazën përgatitore dhe tashmë numërohen ditët për startin zyrtar të sezonit. Më 5 shtator, në orën 16:00, liqenorët do të zbresin në fushë përballë Ilirisë së Fushë-Krujës, në ndeshjen që do të shënojë nisjen e një sezoni ku objektivi është i qartë: ngjitja në elitën e futbollit shqiptar.
Gjashtë miqësoret e zhvilluara gjatë verës kanë dhënë një bilanc të ekuilibruar: dy fitore, dy barazime dhe dy humbje, me 9 gola të shënuar dhe 8 të pësuar.
Por përtej rezultateve, këto ndeshje i kanë shërbyer stafit teknik për të testuar formacionet, afrimet e reja dhe alternativat që do të jenë në dispozicion gjatë sezonit.
MERKATOJA, NGA SKEPTICIZMI TE AFRIMET E RËNDËSISHME
Në ditët e para, merkatoja nuk solli emra të bujshëm. Rihuazimi i Shanajt nga Partizani dhe afrimi i mbrojtësit të majtë Geci ishin lëvizjet e para, duke krijuar edhe një dozë skepticizmi te tifozët.
Por më pas, drejtuesit e klubit shtuan ritmin dhe skuadra u përforcua me disa futbollistë që pritet të kenë peshë në sezonin e ri.
Një nga afrimet më të rëndësishme është sulmuesi nigerian Chinwendu, i cili vjen nga Besa e Kavajës, ndërsa në repartin defensiv është afruar Jorgo Meksi, futbollist me eksperiencë në kampionatin shqiptar dhe i transferuar nga Dinamo.
Pogradeci ka afruar gjithashtu Frimpong, Okoli, Kasume dhe Kambato, ndërsa pjesë e skuadrës janë bërë edhe sulmuesi Sinani, pas eksperiencës në Itali, Zogaj, i cili mund të luajë në disa pozicione, si dhe portieri kosovar Ahmetaj.
TË RINJTË, NJË TJETËR ARMË E POGRADECIT
Krahas merkatos, klubi ka zgjedhur të investojë edhe te elementët e akademisë.
Jançe, Balliu dhe Bajraktari kanë firmosur kontrata me ekipin, ndërsa Bajraktari ka qenë një nga lojtarët që ka lënë përshtypje më të mira gjatë fazës përgatitore.
Paraqitja e tij ndaj Sopotit ka qenë veçanërisht premtuese, duke treguar se Pogradeci mund të ketë një tjetër alternativë të vlefshme nga radhët e të rinjve.
Ndërkohë, sulmuesi i ri Mertkola është huazuar te Maliqi, ndërsa klubi nuk ka vijuar bashkëpunimin me Sallon dhe Spahon.
BËRTHAMA MBETET, OBJEKTIVI NDRYSHON
Pogradeci ruan një bërthamë të konsoliduar të ekipit, ku spikasin portieri Staniç, kapiteni Kasmollari, si dhe Abazaj, Sadik Kazim, Samake, Preknicaj dhe Lleshai.
Kombinimi i lojtarëve me eksperiencë, afrimeve të reja dhe elementëve të rinj të akademisë është baza mbi të cilën Pogradeci synon të ndërtojë sezonin e ri.
MIQËSORET NGRITËN ALARMET, POR TESTI I VËRTETË SAPO NIS
Në ndeshjet përgatitore janë evidentuar edhe disa probleme. Në momente të caktuara ka munguar lidhja mes reparteve dhe cilësia në ndërtimin e aksioneve, ndërsa loja nuk ka qenë gjithmonë në nivelin e pritshmërive.
Megjithatë, disa futbollistë kanë spikatur individualisht dhe tashmë vëmendja është te ndeshjet zyrtare, ku rezultatet kanë një peshë krejt tjetër.
Dhe prova e parë është menjëherë e rëndësishme.
5 SHTATORI, DITA KUR NIS BETEJA
Iliria e Fushë-Krujës do të jetë kundërshtari i parë i Pogradecit në kampionat.
Aty do të shihet fytyra reale e skuadrës, niveli i afrimeve dhe mbi të gjitha kapaciteti i liqenorëve për të qenë pjesë e garës për ngjitjen në Superiore.
Formula e këtij sezoni e bën objektivin më të arritshëm, pasi edhe skuadra që fiton play-off-in e Kategorisë së Parë do të sigurojë një vend në elitë.
Por rruga nuk do të jetë e lehtë. Besëlidhja, Flamurtari dhe Besa kanë bërë merkato të rëndësishme dhe pritet të jenë rivalë seriozë, ndërsa Bylisi, i rënë nga Superiore, vjen me synimin për t’u rikthyer menjëherë.
Pogradeci e di se këtë sezon nuk mjafton vetëm dëshira. Duhet vazhdimësi, rezultat dhe një skuadër që të përballojë presionin e garës.
Më 5 shtator nis rrugëtimi. Objektivi është i madh. Pogradeci kërkon Superiore-n.

