Eduart Selami, talenti i harruar i futbollit të Librazhdit që zgjodhi rrugën e politikës

LIBRAZHD ,28 qershor 2026/Albania Express News/-Ka histori që mbeten të fshehura në albumet e vjetra fotografike dhe në kujtesën e njerëzve, derisa dikush vendos t’i rikthejë në vëmendje. Një të tillë ka sjellë përmes një postimi në rrjetin social Facebook ish-futbollisti dhe sportdashësi i njohur librazhdas ,Sokol Zharri, duke risjellë një fragment të panjohur nga rinia e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Eduart Selami.

Pak kush e di se, shumë kohë përpara se të bëhej një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare në vitet e para të pluralizmit, Eduart Selami kishte veshur fanellën e ekipit të të rinjve të “Sopotit” të Librazhdit, ku aktivizohej si qendërmbrojtës.

Në fotografinë e publikuar nga Zharri, e realizuar në vitin 1977, Selami shfaqet në formacionin e skuadrës U-18 të “Sopotit”, ekip ku, sipas autorit të postimit, spikaste për talentin, edukatën, zgjuarsinë dhe perspektivën që premtonte si futbollist. Ai konsiderohej një qendërmbrojtës natyral, me cilësi të spikatura në leximin e lojës dhe në organizimin e repartit mbrojtës.

Në atë periudhë, familja Selami jetonte në qytetin e Librazhdit, ndërsa Eduarti ishte nxënës në gjimnazin “Ibrahim Muça”. Futbolli ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, por jo destinacioni përfundimtar.

Rruga e tij mori një drejtim tjetër kur vijoi studimet në Universitetin e Tiranës, ku më pas u angazhua edhe si pedagog. Me nisjen e proceseve demokratike në Shqipëri, Eduart Selami u përfshi që në ditët e para të lëvizjes pluraliste, duke u bërë një nga protagonistët e saj. Më vonë ai do të drejtonte Partinë Demokratike dhe do të ndërtonte një karrierë të spikatur politike e publike, duke u shndërruar në një figurë të njohur në jetën politike shqiptare.

Por lidhja e familjes Selami me futbollin nuk përfundoi me Eduartin. Sipas kujtimeve të ndara nga Sokol Zharri, pas tij fanellën e “Sopotit” e veshi edhe vëllai i tij më i vogël, i cili luante si sulmues i krahut të djathtë. Ai dallohej për shpejtësinë e jashtëzakonshme, një armë e fortë në kundërsulmet e ekipit librazhdas.

Një nga momentet më të paharrueshme të asaj periudhe mbetet fitorja historike e “Sopotit” ndaj “Shkëndisë” së Tiranës, skuadër që në atë kohë përfaqësohej nga talenti i madh Ledio Pano dhe futbollistë të tjerë që më vonë do të vishnin fanellën e ekipit kombëtar. Sipas Zharrit, kontributi i vëllait të Eduart Selamit ishte vendimtar në atë sukses që vazhdon të kujtohet me krenari nga sportdashësit e Librazhdit.

Ky rikthim në kohë dëshmon se jeta e personaliteteve të njohura shpesh fsheh kapituj interesantë, të cilët nuk lidhen domosdoshmërisht me fushën ku ata u bënë të famshëm. Për Eduart Selamin, përpara auditorëve universitarë dhe tribunave politike, ishte fusha e blertë e “Sopotit”, ku hodhi hapat e parë si sportist dhe la kujtime që vazhdojnë të ruhen me respekt nga bashkëqytetarët dhe miqtë e tij.

Postimi i Sokol Zharrit shërben si një homazh për historinë sportive të Librazhdit, duke rikthyer në kujtesë një periudhë kur futbolli ishte jo vetëm pasion, por edhe një shkollë karakteri për shumë të rinj, disa prej të cilëve më pas do të ndiqnin rrugë krejt të ndryshme në jetën publike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Çmenduri në Botëror! Gjashtë gola dhe dy rrjeta në shtes, Algjeria me Austrinë sigurojnë kualifikimin pas një thrilleri 3-3

BOTËRORI 2026, 28 qershor 2026/Albania Express News/-Algjeria dhe Austria...

Fan Noli i vetmi Kryeministër i zgjedhur me short në Shqipëri

Nga Kastriot Dervishi ,Studiues TIRANË, 27 qershor 2026/Albania Express News/-Shorti...