“Dy javë në errësirë” ,banorët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan shpërthejnë në protestë: pa drita, pa ujë dhe pa zgjidhje

ELBASAN,28 prill 2026/Albania Express News/Protesta e banorëve të lagjes “Skënderbej” në Elbasan paraditen e kësaj të marte ka nxjerrë në pah një realitet të vështirë që prej dy javësh po rëndon jetën e përditshme të qindra familjeve. Pa energji elektrike dhe, si pasojë, edhe pa furnizim të rregullt me ujë, rreth 300 banorë janë detyruar të përballen me kushte minimale jetese, duke e kthyer një problem teknik në një krizë të vërtetë komunitare.

Të mbledhur këtë të martë në shenjë proteste, ata shprehen të revoltuar jo vetëm për mungesën e energjisë, por edhe për mungesën e një zgjidhjeje të shpejtë. Sipas tyre, pavarësisht interesimit pranë OSHEE, përgjigjja ka qenë e njëjtë: ndërprerjet lidhen me punimet në rrjet dhe situata pritet të zgjasë të paktën deri më 4 maj. Një afat që për banorët përkthehet në ditë të tjera errësire dhe vështirësish.

Ndërkohë, pasojat janë të prekshme në çdo familje. Amvisat e kanë thuajse të pamundur të gatuajnë dhe të ruajnë higjienën, ndërsa familjet me fëmijë dhe të moshuar ndjejnë më fort mungesën e kushteve bazë. Në mungesë të energjisë, edhe furnizimi me ujë është i kufizuar, duke e rënduar më tej situatën.

Goditje të fortë ka marrë edhe biznesi i vogël në zonë. Pronarët e dyqaneve ushqimore tregojnë se frigoriferët qëndrojnë të fikur për orë të tëra, duke rrezikuar prishjen e produkteve dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Për ta, çdo ditë pa energji është një ditë më shumë drejt falimentimit.

Banorët theksojnë se problemet me energjinë nuk janë të reja për këtë zonë, por situata aktuale, sipas tyre, është e papranueshme dhe mund të ishte menaxhuar ndryshe, me më shumë transparencë dhe alternativa furnizimi.

Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Elbasan sqaron se ndërprerja e energjisë lidhet me stakimin e fidrit nr. 7 në nënstacionin “Kombinati i Drurit”, si pjesë e punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Bitola–Elbasan–Fier, një projekt i cilësuar strategjik për zgjerimin e rrjetit energjetik të Shqipërisë. Sipas OSSH, po merren masa që zona të furnizohet përmes kabinave alternative, ndërsa ndërprerjet në vijim pritet të jenë të përkohshme dhe të kufizuara vetëm gjatë manovrimeve teknike. Megjithatë, stakimet parashikohet të zgjasin edhe rreth gjashtë ditë të tjera, ndërsa kontraktorit i është kërkuar të përshpejtojë punimet.

Mes premtimeve për zgjidhje dhe realitetit të përditshëm pa energji, banorët e “Skënderbej” mbeten në pritje ,mes errësirës dhe shpresës për rikthimin e normalitetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Elbasani mirëpret Festivalin e Hendbollit për të rinjtë nga tre qytete

Federata Shqiptare e Hendbollit, në kuadër të zhvillimit të...

Fitorja e inteligjencës taktike

Nga Erion Sqapi Kjo nuk ishte thjesht një fitore 3-1....