Durrësi është sot në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si mikpritës i Kampionatit Botëror të Shahut për të Rinj FIDE U14, U16 dhe U18, një aktivitet madhor që ka mbledhur mbi 700 shahistë nga rreth 80 vende të botës. Për 11 raunde radhazi, të rinjtë më të talentuar të shahut do të përballen në një garë që kombinon strategjinë, pasionin dhe intelektin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi organizimin e këtij eventi si një dëshmi të qartë të kapaciteteve të Shqipërisë për të mirëpritur aktivitete të nivelit botëror. Ai theksoi se në këtë atmosferë të gjallë sportive e intelektuale, Durrësi po kthehet në një qendër ku bashkohen turizmi, kultura dhe sporti.
“Një turne që afirmon potencialin e të rinjve dhe vendin tonë si një destinacion që frymëzon dhe bashkon,” – u shpreh ministri Gonxhja, duke nënvizuar rëndësinë e këtij aktiviteti si një mundësi për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.



