Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se për SPAK nuk ka të paprekshëm.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike Luçiano Boçi, i cili kërkoi sqarime mbi arsyet pse Kryeministri Edi Rama është shpallur i paprekshëm nga drejtësia, Dumani tha se “për çdo procedim penal të regjistruar hetohet fillimisht në drejtim të faktit penal dhe më tej edhe në drejtim të autorëve të veprës penale”.
“Në të gjitha këto rastet që ju përmendni prokurorët e çështjes kryejnë hetim të gjithanshëm dhe objektiv me qëllim grumbullim të provave dhe ngritjen e akuzave. Siç edhe herët e tjera kam deklaruar publikisht për prokurorët e posaçëm nuk kanë rëndësi emrat, por vetëm provat”, nënvizoi Dumani.
Ndërsa pyetjes së Boçit lidhur me zgjedhjet parlamentare, Dumani iu përgjigj se Prokuroria e Posaçme, përfshirë edhe prokurorë e hetues të Byrosë Politike kanë qenë në terren edhe në zonat që vetë Boçi ka drejtuar politikisht.
“Ju e dini shumë mirë sa i vëmendshëm ka qenë SPAK edhe ndaj denoncimeve publike edhe nga ana juaj, ku pas një denoncimi të bërë në media lokale je kontaktuar nga drejtuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe janë kryer edhe veprimet konkrete hetimore. Me kontaktin që morëm me ju hetuesit e byrosë bënë verifikimet lidhur me zonën ku ju denoncuat dhe nuk rezultoi që të kishte të bënte me blerje votash”, u shpreh Dumani.
Më tej Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetit të PD-së, Besart Xhaferri, nëse kanë nisur hetime nga SPAK për bashkëpunim të krimit të organizuar në Serbi dhe Mal të Zi me krimin e organizuar shqiptar për trafikim të lëndëve narkotike.
“Vizita ime në Malin e Zi në prokurorinë atje, ka qenë një ndër të mirat që kanë realizuar. Se çfarë është biseduar në këto takime ne kemi bërë një komunikim me median dhe s’mund të them asgjë më tepër sesa ai komunikimi në media. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me prokurorinë e Malit të Zi dhe atë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut kemi hetime të përbashkëta, hetime paralele, shkëmbime informacioni spontane. Me Malin e Zi kemi një bashkëpunim të mirë me hetime paralele dhe shkëmbim informacioni. Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin e organizuar të Malit të Zi dhe me atë serb. E vetmja mënyra më e mirë për të luftuar këto organizata kriminale është bashkimi forcave, ky është qëllimi pse ne bashkë me Malin e Zi bashkëpunojmë ngushtësisht në hetimin e çështjeve që synojnë interesat e dy vendeve tona”, nënvizoi Dumani.
Dumani tha se “sa i takon vizitës së kryeprokurorit të posaçëm serb edhe kjo ishte nevojë për të koordinuar e bashkëpunuar me prokurorinë e Posaçme të Serbisë, pasi hetimet tona tregojnë që po krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin e organizuar serb kryesisht për trafikimin e kokainës. Me ndërmjetësimin e Eurojust u mundësua ky takim, u vendosën ura bashkëpunimi dhe pas këtij takimi filluam bashkëpunimin edhe më çështje konkrete, para këtij takimi bashkëpunimi e kishim shumë spontan, të rastësishëm tashmë kemi vendosur ura komunikimi dhe bashkëpunim konkret në funksion të një qëllimi të vetëm në luftën kundër krimit të organizuar’”.

