U luajtën dhe u mbyllën katër ndeshjet e javës së 12-të në Bundesligë, të cilat rezervuan emocione, përmbysje dhe gola spektakolarë.
Bayern Munich arriti një fitore dramatike 3–1 ndaj St. Paulit, në një sfidë ku kampionët e Gjermanisë u desh të vuanin deri në fund. Pas një pjese të parë të komplikuar dhe një disavantazhi që i vuri nën presion, bavarezët reaguan vetëm në minutat shtesë, ku shënuan dy herë duke siguruar përmbysjen dhe tre pikë të arta.
Një tjetër ndeshje spektakolare u zhvillua në Berlin, ku Heidenheim mori një fitore të pabesueshme ndaj Unionit. Pavarësisht se ishin në disavantazh për pjesën më të madhe të takimit, miqtë shpërthyen në fund dhe gjetën golin e fitores në minutën e 95-të, me Arijon Ibrahimoviç që u kthye në heroin e ndeshjes.
Ndërkohë, sfida mes Werder Bremen dhe Këln përfundoi 1–1, me të dy skuadrat që ndanë nga një pikë në një përballje të ekuilibruar dhe pa shumë rreziqe.
Ndryshe nga dramat e tjera, Hoffenheim e pati punën shumë më të lehtë ndaj Augsburgut, duke triumfuar 3–0 vetëm në pjesën e parë. Vendasit zgjidhën gjithçka shpejt dhe administruan takimin deri në fund pa probleme.
Rezultatet përfundimtare
- Bayern Munich 3–1 St. Pauli
- Hoffenheim 3–0 Augsburg
- Union Berlin 1–2 Heidenheim
- Werder Bremen 1–1 Këln



