Dr. Mexhit Kruja ,një jetë në shërbim të jetës, një emër që mbetet themel i mjekësisë në Elbasan

ELBASAN ,28 prill 2026/Albania Express News/Spitali Rajonal i Elbasanit herë pas herë sjell në vëmendje figurat e personaliteteve të mjekësisë .Kësaj rradhe bazuar në një material të Arkivit Dixhital Elbasan ka publikuar profilin  e një prej mjekëve më të përkushtuar dhe më të respektuar të historisë së shëndetësisë shqiptare, doktor Mexhit Kruja (23 prill 1932 – 6 maj 1981), obstetër-gjinekolog i cili i kushtoi gjithë jetën shërbimit ndaj nënës dhe fëmijës.

I lindur në Peqin, në një familje qytetare me tradita patriotike dhe frymë përparimtare, Mexhit Kruja u dallua që në fëmijëri për rezultate të shkëlqyera në mësime. Ai kreu shkollën fillore në vendlindje dhe më pas vijoi studimet në shkollën Unike, ku u cilësua si nxënësi më i mirë. Rruga e tij drejt mjekësisë u përforcua me përfundimin me rezultate të larta të Politeknikumit Mjekësor në vitin 1951.

Edhe pse një bursë për studime në Budapest iu anulua në momentet e fundit nga rrethanat e kohës, ai nuk u ndal. Përkundrazi, nisi menjëherë të shërbejë si ndihmës mjek në Korçë dhe njëkohësisht kontribuoi në formimin e brezave të rinj, duke dhënë mësim në shkollën e infermierisë. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë në vitin 1952, ai u bë pjesë e brezit të parë të studentëve, duke e përfunduar atë në vitin 1957 me rezultate të shkëlqyera.

Karriera e tij profesionale nisi në Elbasan dhe vijoi në Gramsh, ku për vite me radhë shërbeu me përkushtim të jashtëzakonshëm në kushte të vështira, duke qenë i vetmi specialist obstetër-gjinekolog për një zonë të gjerë që përfshinte Elbasanin, Gramshin dhe Librazhdin. Përkushtimi i tij nuk njihte orar: për vite të tëra ai punoi pa ndërprerje, pa marrë pushime, gjithmonë i gatshëm për të shpëtuar jetë, shpesh duke udhëtuar me biçikletë në çdo mot për të arritur tek pacientët në nevojë.

Pas specializimit në Tiranë nën drejtimin e figurave të shquara të mjekësisë shqiptare si Viktor Theohari dhe Ilir Gjylbegu, ai u rikthye në Elbasan, ku jo vetëm ushtroi profesionin si mjek, por mori edhe drejtimin e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik. Në këtë detyrë ai u shqua si një drejtues i aftë, organizator i përpiktë dhe edukator i palodhur i stafit mjekësor.

Një nga kontributet më të çmuara të Dr. Krujës ishte përgatitja e kuadrove të reja. Ai trajnoi rreth 200 mami në zonat rurale, duke dhënë mbi 700 orë mësim pa asnjë shpërblim, çka ndikoi drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në fshat. Krahas kësaj, ai realizoi edhe studime dhe botime shkencore në revistat mjekësore të kohës, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të disiplinës së tij.

Puna e tij e palodhur bëri që materniteti i Elbasanit të arrinte standarde të krahasueshme me atë të Tiranës, duke u vlerësuar maksimalisht nga strukturat shtetërore dhe ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë. Për meritat e tij të jashtëzakonshme, në vitin 1976 u nderua me urdhrin “Për shërbim të mirë të popullit”, një nga vlerësimet më të larta të kohës.

Megjithatë, mbi çdo dekoratë, vlerësimi më i madh për të mbeti dashuria dhe respekti i pakufishëm i qytetarëve. Ai njihej si një mjek rigoroz, me integritet të lartë profesional dhe njerëzor, i cili e vinte gjithmonë pacientin në qendër të misionit të tij.

Në fundin e jetës, Dr. Mexhit Kruja kontribuoi edhe në projektimin dhe ndërtimin e maternitetit të ri të Elbasanit. Me një përkushtim të rrallë, ai ndoqi nga afër realizimin e këtij projekti, pa u shkëputur asnjëherë nga detyra e tij në spital. Ironikisht dhe tragjikisht, ai nuk arriti ta përjetojë inaugurimin e tij, pasi ndërroi jetë më 6 maj 1981, teksa ishte në krye të detyrës, duke kryer operacionin e tretë të asaj dite.

Përcjellja e tij për në banesën e fundit u kthye në një manifestim të jashtëzakonshëm mirënjohjeje popullore, me pjesëmarrje masive dhe spontane nga qytetarë të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit dhe më gjerë.

Në nder të kontributit të tij të shquar, Këshilli Bashkiak i Elbasan i akordoi titullin “Qytetar Nderi” në vitin 2000, ndërsa në vitin 2010 Shërbimi Obstetrik-Gjinekologjik i qytetit mori emrin e tij, duke e përjetësuar figurën e një mjeku që jetoi dhe punoi me një ideal të vetëm: shërbimin ndaj jetës.

Historia e Dr. Mexhit Krujës mbetet një dëshmi e fuqishme se përkushtimi, humanizmi dhe profesionalizmi mund të lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e një komuniteti dhe në historinë e një vendi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Përplasjet në PS/ Braçe: Qëndrojnë ato që thotë Spiropali. Edhe Rama e di që është ashtu!

Deputeti i PS, Erion Braçe ka mbështetur qëndrimet e...

Dashnor Sula: Digjitalizimi i sistemit të inspektimit, hap vendimtar për efikasitet dhe transparencë

TIRANË, 28 prill 2026/Albania Express News/Qeveria ka ndërmarrë një...

Ndahet nga jeta Rustem Gjata, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 28 prill 2026/Albania Express News/ Ish-kryetari i Gjykatës...