Emiljano Musta ka folur në prag të përballjes me Flamurtarin, fillimisht në Kupë dhe më pas në kampionat, duke e cilësuar këtë dopio sfidë si një test jo të lehtë për Elbasanin. Sipas tij, skuadra është e fokusuar maksimalisht vetëm te ndeshja e radhës, pa shpërqendrime nga objektivat afatgjata. Futbollisti verdheblu shpreh besim për kualifikimin në Kupë, duke theksuar rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar, avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve. Edhe pse në të kaluarën ka qenë pjesë e Flamurtarit, Musta nënvizon se tashmë mendja dhe përkushtimi i tij janë vetëm për Elbasanin. Sipas Mustës, gjendja fizike e skuadrës është përmirësuar ndjeshëm para kësaj sfide të rëndësishme “Mendoj që ky pushim i shkurtër erdhi në momentin e duhur, sepse kishim disa probleme me mungesat për shkak dëmtimesh. Lojtarët janë rikuperuar dhe jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës”, u shpreh fillimisht futbollisti i Elbasanit.
DOPIO SFIDA – Musta vlerëson maksimalisht Flamurtarin, duke e konsideruar një skuadër me traditë dhe investime serioze këtë sezon. Ai thekson se Elbasani mendon vetëm për ndeshjen e Kupës, duke e parë atë si prioritet absolut. “Me Flamurtarin janë dy ndeshje shumë të vështira, sepse është një emër i madh i futbollit shqiptar që ka bërë shumë investime këtë sezon. Ndaj, na presin ndeshje shumë të vështira dhe të dalim me sukses. Fillimisht jemi duke menduar vetëm për kupën, sepse ne e kemi thënë që ndeshja më e rëndësishme është ajo e radhës. Pasi ta kalojmë atë me sukses, do të mendojmë edhe për kampionatin”, pohoi Musta. Më tej, futbollisti kujton me sportivitet të kaluarën e tij në disa skuadra të futbollit shqiptar dhe flet si një ish i kuqezinjve. Megjithatë, ai thekson se nuk ka vend për ndjenja personale, pasi për momentin prioritet mbetet vetëm Elbasani. “Unë jam bërë një ish-lojtar i shumë skuadrave të futbollit shqiptar (qesh). Mirëpo, për momentin jam i fokusuar tek Elbasani dhe do të jap maksimumin për të arritur objektivat sezonalë që kemi. Është thjesht ndeshja e radhës”, vijoi më tej mbrojtësi verdheblu.
KUALIFIKIMI – Sipas Mustës, ndeshjet e Kupës kanë një karakter të veçantë, pasi çdo gabim mund të kushtojë eliminimin. Ai shpreson që Elbasani të përfitojë nga fakti që luan në shtëpi dhe nga mbështetja e tifozëve. “Është ndeshja e parë, kupa ka një specifikë tjetër nga kampionati, sepse është me eliminim direkt. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Luajmë në fushën tonë dhe është një avantazh i lehtë, ndaj me ndihmën e tifozëve shpresoj të kualifikohemi”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, Emiljano Musta.

