Divjaka kundër bashkimit me bashkinë e Lushnjës, mbyllen dëgjesat publike në Remas

Nga Sara Tarko

DIVJAKË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak Divjakë për përgatitjen e materialeve në kuadër të reformës territoriale ka përmbyllur këtë të premte në mbrëmje ciklin e dëgjesave publike në njësitë administrative të bashkisë.

Dëgjesa e fundit u zhvillua në njësinë administrative Remas, ku banorë dhe përfaqësues vendorë diskutuan mbi propozimet për riorganizimin territorial dhe të ardhmen administrative të Bashkisë Divjakë.

Takimi u hap nga këshilltari bashkiak Said Ibrahimaj, i cili u kërkoi të pranishmëve të shprehnin opinionet dhe qëndrimet e tyre lidhur me reformën territoriale.

Më pas, kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, prezantoi gjetjet e komisionit të ngritur nga Këshilli Bashkiak, duke paraqitur argumentet që, sipas tij, mbështesin ruajtjen e Bashkisë Divjakë si njësi më vete dhe kundërshtojnë propozimin për bashkimin e saj me Lushnjën.

Sipas Gorreës, treguesit ekonomikë, shtrirja gjeografike dhe numri i popullsisë e rendisin Divjakën në një pozicion të konsiderueshëm në raport me bashkitë e vendit. Ai argumentoi se, bazuar në këto tregues, Divjaka renditet nga vendi i 27-të deri në vendin e 31-të mes 61 bashkive, çka, sipas tij, përbën një nga argumentet për vijimin e funksionimit të saj si bashki më vete.

Gjatë dëgjesës, banorët e njësisë administrative Remas shprehën qëndrimin e tyre në mbështetje të ruajtjes së Bashkisë Divjakë dhe kundër shkrirjes së saj në një bashki të përbashkët me Lushnjën.

Pjesëmarrësit i drejtuan gjithashtu një apel deputetes së zonës, Ana Nako, si dhe drejtueses politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, që të marrin në konsideratë qëndrimin e shprehur nga komuniteti dhe të mos mbështesin propozimin për shkrirjen e Bashkisë Divjakë.

 

Me përfundimin e dëgjesës në Remas, komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak Divjakë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik me komunitetet e bashkisë.

Dokumentacioni i përgatitur nga komisioni, së bashku me firmat e pjesëmarrësve dhe qëndrimet e shprehura gjatë dëgjesave, pritet t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë, ku do të shqyrtohet nga komisioni parlamentar përgjegjës dhe më pas do të ndiqet procedura parlamentare për votimin e propozimit për reformën territoriale.

Procesi pritet të vijojë me shqyrtimin institucional të argumenteve dhe materialeve të paraqitura nga Bashkia Divjakë, në kuadër të diskutimeve për riorganizimin e hartës administrative dhe territoriale të vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME