Një mbrëmje gala e mbushur me buzëqeshje, emocione dhe energji pozitive u organizua nga Dhoma Ekonomike e Gruas, duke mbledhur rreth 50 sipërmarrëse dhe profesioniste të biznesit për të festuar fundvitin, arritjet e përbashkëta dhe forcën e grave që ecin përpara krah për krah.

Atmosfera festive u shndërrua në një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për rrugëtimin e bërë, mbështetjen e ndërsjellë dhe ndikimin që gratë kanë në zhvillimin e biznesit dhe komunitetit. Në këtë kuadër, Dhoma Ekonomike e Gruas ndau 4 çmime për vitin 2025, si shenjë vlerësimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të spikatur:

• Ana Kekezi – Mentorja e Vitit 2025
• Yllka Agolli – Mentorja e Vitit 2025
• Ira Skendo – Organizatorja e Vitit 2025
• Merita Mucaj – Sipërmarrësja e Vitit 2025

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte edhe shorteu tradicional i dhuratave, ku bizneset pjesëmarrëse ndanë me njëra-tjetrën produkte dhe shërbime nga puna e tyre, duke përcjellë një mesazh të fortë solidariteti, bashkëpunimi dhe mbështetjeje të ndërsjellë.

Mes të qeshurave, kërcimit dhe emocioneve të sinqerta, pjesëmarrëset u larguan me ndjesinë e mirënjohjes dhe frymëzimit, duke përforcuar bindjen se, kur gratë bashkohen, krijojnë ndikim të qëndrueshëm dhe të fuqishëm.

Antonela Hako, kryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas, u shpreh se kjo mbrëmje dëshmoi se, duke qenë së bashku si sipërmarrëse, jemi edhe më të forta.


