Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo: OSHEE ka rritur mosmbledhjen e borxhit në 820 milionë euro

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Në Kuvend u diskutua sot projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së financimit me institucionin italian “Cassa Depositi e Prestiti” për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, njëherësh nënkryetar i komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financat, tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se projekti pritet të përfundojë në vitin 2033.

“Një kredi që merret nga OSHEE për të rregulluar 4 nënstacione të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe do të nisë zbatimi në vitin 2028 për të përfunduar në 2033. Kjo është qesharake si i trajtoni çështjet”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Bozdo u ndal edhe tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), që sipas tij ka trefishuar borxhin krahasuar me 2013.

“Dëgjuam ministrin që foli për sukseset e OSHEE-së. Ajo që konsiderohet një kompani e sukeseshme publike, ka një borxh ndaj të tretëve dhe për të tretët dhe të tretët ndaj saj, jo pak, por 820 milionë euro”, tha Bozdo.

Sipas Bozdos, gjithashtu OSHEE ka ulur investimet që nga 2013 dhe ka rritur mosmbledhjen e borxhit në 820 milionë euro.

Bozdo tha se “nëse pretendohet se OSHEE ka pasur sukses në menaxhim, ministri duhet t’i kërkojë Entit Rregullator të Energjisë uljen e çmimit për konsumatorët familjarë dhe bizneset”.

“Targeti kryesor i OSHEE ka qenë ulja e humbjeve dhe meqë e keni realizuar këtë gjë, kthejuni mbrapsht paratë shqiptarëve”, tha ai.

Gjithashtu, Bozdo tha se konsumatorët, bizneset ashtu edhe familjarët, shpesh nuk furnizohen me tensionin standard prej 220 voltësh. Sipas tij, gjatë verës, kur rritet konsumi, tensioni bie edhe më shumë.

“Me ritmin e lejeve të ndërtimit që jepni në Tiranë, shumë shpejt Tirana do të shkojë në kolaps”, tha ai, pasi sipas tij “nuk ka investime të mjaftueshme”.

Më tej gjatë fjalës së tij, Bozdo pyeti ministrin edhe në lidhje me dy anijet Tigri 1 dhe Tigri në Vlorë të cilat përdoren për prodhim energjie.

“Çfarë po ndodh sot me dy anijet gjeneruese Tigri 1 dhe Tigri 3 në Vlorë? Kanë prodhuar energji me një kosto prej 151 euro për megavat/orë, mjaft më e lartë se mesatarja që është furnizuar Shqipëria nga importi. Për çfarë nevojiten këto dy anije, të cilat janë jashtë çdo standardi mjedisor? Si është e mundur që një kompani në varësinë tuaj, refuzon t’u japë deputetëve të opozitës informacion mbi kontratat për Tigri 1 dhe Tigri 3, duke e justifikuar me “sekret tregtar”? Ky nuk është informacion i klasifikuar dhe as sekret tregtar”, tha Bozdo.

“Pse refuzohet t’u jepet deputetëve të opozitës informacion?! Sepse ndoshta është një nga marrëveshjet më të korruptuara në fushën e energjisë. Ha paratë tonë çdo ditë dhe ju vini dhe merreni kredi për sistemin e energjisë”, tha Bozdo.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME