Nga Gëzim Tushi
Fillimi i punimeve të Parla mentit të dalë nga zgjedhjet e 11 majit të këtij viti është një rast ekzistent, për të bërë disa analiza retrospektive e diagnostikime diferenciale e ballafaquese për të ardhmen dhe pritmëritë politike të qytetarëve. Një pritmëri sociopolitike dhe nevojë urgjente, për të pasur ndryshime cilësore tepër të nevojshme, të lidhura në të njëjtën kohë edhe me përbërjen e “trupës së re parlamentare” si institucioni kryesor i jetës politike publike, por edhe me meritat, vlerat personale, performancën individuale, punën e dobishme dhe rolin politik e përfaqësues të deputetit. Historia e parlamentarizmit demokratik në vendin tonë ka regjistruar në kujtesën politike të qytetarëve dhe elektoratit në përgjithësi situata të larmishme, herë brenda standardit të politikës moderne dhe shumë herë shfaqje anakronike si mbetje politike të së kaluarës.
E kaluara parlamentare, sidomos mandati i fundit, është shoqëruar me shumë aspekte pozitive dhe negative që janë të lidhura nga njëra anë me tipologjinë arkaike militanteske, deontologjinë dhe fenomenologjinë e deformuar të jetës parlamentare si institucion, nga ana tjetër, me mungesën e plotësimit të kërkesave e reja ultimative cilësore, si ingredientë të lidhur me staturën e personalitetit, rolin, funksionin dhe statusin e deputetit. Por për të qenë racional, i kursyer në gamën e gjerë të problemeve profesionale, morale, funksionale dhe etike si karakteristika thelbësore, të pandashme dhe esenciale të figurës së deputetit, po ndalem në dy probleme me rëndësi ekzistenciale, të evidentuara nga e kaluara dhe që unë mendoj se mungojnë ose nuk janë në standardin e kërkuar të etikës së komunikimit politik. Një obligim i nevojshëm sidomos tani, që procesi i rinovimit të strukturës parlamentare në këtë mandat, ka qenë i dukshëm nga pikëpamja sasiore (ana cilësore mbetet për t’u parë), nga që gati pesëdhjetë prej tyre janë deputetë të rinj. Koha u kërkon atyre, por jo vetëm, një mobilizim të ri të frytshëm politik e qytetar, si kusht ekzistencial për të përballuar sfidat e akseleruara të zhvillimit të vendit dhe plotësimit të standardeve të integrimit europian nga njëra anë dhe si mjet për të siguruar besimin politik e social të shumicës së qytetarëve, te kjo klasë politike dhe deputetët që i përfaqësojnë.
1. PERFORMANCA, KULTURA GJUHËSORE E KOMUNIKIMIT PARLAMENTAR
Njerëzit e zgjedhur dhe që tani janë në pozicionin e deputetit, janë të detyruar të luajë rolin sipas standardeve të sjelljes institucionale dhe komunikimit politik human. Ky është kushti i parë universal, madje conditë sine qua non për vlerësimin e performancës së tyre. Padyshim, është i natyrshëm pretendimi social për deputetët, që duhet të kenë një simbiozë të sigurt dhe lidhje të garantuar midis kulturës personale, fuqisë intelektuale e komunikative dhe si politikan profesionist edhe praninë e kuotës së duhur të zgjuarsisë politike. Doemos nuk ka ndonjë ekuacion “deux ex machine” që siguron lidhjen e duhur, të ekuilibruar të këtyre dy anëve të kësaj lidhjeje “dypolare” në personalitetin dhe performancën e deputetit. Pa diskutim nga pikëpamja e sjelljes etike dhe komunikimit të kulturuar politik midis kundërshtareve, Parlamenti ynë jo vetëm nuk është në pozicionin standard të demokracisë konkurruese, por përkundrazi, është në kuotat më të larta të shfaqjes së fenomenit anakronik, të vjetër e të kalcifikuar të anomalive toksike të shfaqjeve në forma të ndryshme të fenomenit tejet shqetësues të “brutalitetit parlamentar”.
Një dukuri endemike e përgjithësuar në vite, duke u shfaqur si patologji endemike në sjelljen e shumë deputetëve. Gati gjithëpërfshirëse në strukturën dikotomike të përbërjes dhe jetës parlamentare. Në shumë raste në trajta mediokre të “brutalitet infektiv” të grupuar, nga i cili në shumë raste deri tani të paktën, janë “infektuar” dhe intoksikuar edhe deputetët rishtarë. Të cilët nisur nga modeli dhe tipologjia gati tradicionale e konfliktualitetit parlamentar, mendojnë se dhuna verbale, madje edhe fizike në shumë raste, është shenjë e forcës individuale, besimit reciprok, besnikërisë politike militanteske. Dhuna verbale, mungesa e komunikimit human gjuhësor, bashkë me defektet në nuancat etike, estetike specifike e autentike të parlamentarizmit modern, janë kthyer në “modus operandi” parlamentar, shoqëruar me një sjellje agresive gati permanente, në mënyrat dhe format e zhvillimit të debateve reciproke pozitë-opozitë. Një dukuri thelbësisht shqetësuese, patologjia e së cilës nuk është e njëanshme, por shfaqet si dukuri dikotomike në raportet e politikanëve të pozitës dhe opozitës. Duke qenë se konfliktualiteti fizik apo gjuhësor është bërë dukuri e shpeshtë në aulën e Parlamentit, sidomos kur skenat janë të mediatizuara dhe me synimin e dukjes së bravurave militanteske para publikut, kam përshtypjen sociologjike të shfaqjes së një dukurie politikisht të përgjithësuar, si “kënaqësi mediokre” e personalizuar në strukturën e sjelljes etike dhe shfaqjen e personalitetit të deformuar të disa deputetëve, të cilët janë nominalisht të shfaqur në jetën parlamentare, por edhe të njohur nga publiku për sjelljet agresive. Sidomos shqetësues është të folurit banal dhe pa përdorur “filtrat” e duhur gjuhësorë, që janë tipike dhe karakteristikë e politikës moderne.
2. PERSONALITETI POLITIK DHE INTEGRITETI QYTETAR I DEPUTETIT
Besoj se pas disa pësimeve, shkarjeve morale dhe ndëshkimeve ligjore të disa politikanëve, deputetë apo ish-deputetë, në këtë mandat parlamentar, besoj se duhet të kenë nxjerrë mësimet e duhura. Nuk ka më kuptim ekzistenca e politikanëve që operojnë me hipokrizi sociale e dyfaqësi morale. Për çdo politikan dhe për secilin deputet duhet të jetë qartësisht dhe me ndërgjegje e kuptueshme, se në personalitetin e tij pleksjet e sjelljes morale dhe performancës politike korrekte publike janë me rëndësi kapitale, kusht i panegociueshëm për përcaktimin e integritetit të tij. Padyshim, është në natyrën e parlamentarizmit dhe dialektikën e marrëdhënieve të pozitës me opozitën që të ketë në vazhdimësi sfida dhe ballafaqime dikotomike politike, të shoqëruar me ide e zgjidhje alternative, jo domosdoshmërish të përputhura.
Një situatë e logjikshme dhe e kuptueshme në jetën e parlamentarizmit demokratik. Këto janë sfida të kuptuara dhe të nënkuptuara, që determinojnë në një farë mënyre edhe disa veçori të sjelljes së deputetëve. Por problemi është që deputetët të gjejnë që në përputhje me lëndën apo sfidat e debatit përgjigjen e duhur alternative, por të shoqëruar edhe komunikimin adekuat. Nuk është fare e lehtë që në situate të caktuara, në kushtet e debatit të fortë dikotomik, me “gjak të nxehur” të administrosh veten dhe me sjelljen e duhur politikisht korrekte të japësh përgjigjen e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Në politikën parlamentare është e domosdoshme që deputeti të kuptojë se gjuha e përdoruar dhe veprimi i kryer kanë pasoja, por edhe mosveprimi ka pasoja gjithashtu. Integriteti dhe personaliteti është në unitet, pikërisht në pikën kur veprimi apo mosveprimi bëhen në momentin e duhur, me pjekuri politike, intelektuale, sovrane. Unë besoj se kjo është thelbësore për kulturën, performancën politike të deputetit, parakusht themelor për të zotëruar artin politik të të menduarit, përdorimin e logjikshëm të arsyetimit kritik në debatin parlamentar, ku shpesh ka një përzierje artificiale e të deformuar midis fakteve të vërteta dhe opinionit të ndarë politik.
Ndihet nevoja e rregullimit të kulturës së dialogut, sjelljes me prudencë parlamentare si parakusht për ta ndryshuar këtë gjendje të mbivlerësimit të sjelljeve arkaike të politikës të realizuar me “forcë parlamentare” verbale apo fizike eksentrike, etikisht të deformuara në sjelljen e deputetit. Deputetët të përfshirë shpesh në debate të nxehta midis tyre vlerësojnë efektet endemike brenda sallës së Parlamentit, por harrojnë se pikërisht këto sjellje të vazhdueshme, të përsëritshme në jetën parlamentare, kanë dhënë kundërefekte të dukshme dhe pasoja material e psikologjike në jetën publike, duke injektuar ashpërsim të kontradiktave militanteske jo vetëm në sjelljen e qytetarit, por edhe njeriut të zakonshëm. Kjo është një nga arsyet pse ka rënie, skepticizëm në autoritetin e deputetëve. I konsideroj me vend dhe racionale tentativat që kanë filluar dhe përpjekja e partive politike, sikurse po vepron në këtë rast Partia Socialiste, si mënyrë adekuate me efekt deontologjik e kulturor, si mjet për edukimin e sjelljes parlamentare, spikatjen e integritetit të deputetit. Vlera e kësaj pune është në të njëjtën kohë edhe parakusht, për të rivendosur besimin e krisur të publikut, vlerësimin e tij për Parlamentin dhe jetën parlamentare. Kjo nuk mund të ndodhë, nëse deputetët kanë konceptin semplist për rolin, pozicionin, detyrën, përgjegjësinë e tyre, duke e parë veten thjesht si ligjvënës. Në politologjinë moderne është vërtetuar se besimi në sjelljen, edukatën, komunikimin, performancën dhe integritetin e personalizuar të deputetit, të grupit parlamentar apo trupës parlamentare në tërësi, kanë më shumë rendësi se ligjet që miratohen prej tyre. Edhe diçka tjetër. Në këto zgjedhje është shfaqur një lloj skepticizmi i padrejtë, krejt konservator për praninë e shtuar të deputetëve të rinj që janë në këtë Parlament. Mbase duhet të shpresojmë se zgjedhjet e 11 majit mund të kenë prodhuar një “klasë parlamentare” më cilësore.
Nuk jam dakord, madje jam kundra zërave paragjykues e nihilistë për cilësinë e deputetëve të rinj. Këtë mendim si rregull e kanë më të theksuar ose nostalgjikët e një kohe, që e kanë jetuar vetë politikisht. Mundet në ndonjë rast edhe ndonjë i moshuar. Besoj se ka për të ndodhur e kundërta, sepse prania e më shumë të rinjve në këtë mandat, mund të jetë një aset për t’i thyer kornizat e vjetra të konfliktualitetit shterp, gjuhës së drunjtë, sjelljes së vrazhdë. Me besimin se deputetët e rinj do sjellin një frymë të re, sipas së cilës deputetët janë “kundërshtarë politikë, por asnjëherë armiq personalë”. Deputeti i ri apo i “vjetër”, pavarësisht moshës, është politikan i angazhuar, militant i inkorporuar në një nga kampet politike respektive. Kjo pozitë e determinuar është e zgjedhur në mënyrë vullnetare, të lirë. Ajo është një nga normat themelore të demokracisë konkurruese. Nuk është e lehtë për deputetin, që në kushtet e një klime politike të acaruar artificialisht në mënyrë kreshendo, të gjej brenda vetes një raport sovran e të personalizuar, midis tipareve dhe karakterit personal dhe imponimeve që vijnë si detyrime nga “linja e partive” respektive. Shpesh shfaqet një miltantizëm i ngurtë, kokëfortë, i “verbër”, artificialisht i shfaqur me ngarkesa të tepërta emocionale apo si qëllim në vetvete, një sëmundje kjo e cila shfaqet shumë shpesh në personalitetin e deputetit. Besoj se ka kaluar shumë kohë dhe politika, demokracia jonë janë duke u europianizuar në përmbajtje e formë. Një realitet që duhet shfaqur si fleksibilitet politik më i personalizuar në sjelljen politike të deputetit. Qoftë edhe duke dalë me bindje nga kornizat e ngurta, “vijat e kuqe” të politikës së vjetër, llogoreve të konfliktualitetit shterp apo agresivitetit si qëllim në vetvete. Duhet bërë më dinamik, më i kulturuar, më i ndryshuar raporti i deputetit me sistemin e vjetër të “besnikërisë dhe vartësisë” politike.
Nuk është normale, as me vlerë dhe produktivitet pozita e ngurtë e deputetit, i cili shfaqet pafundësisht dhe mekanikisht, i imponuar apo me dëshirë “qenie politike” e ngurtë, e karfosur në kornizat e dikotomisë politike, pa shfaqur mendimin, nuancat e gjykimit, personalitetin e vet. Këto janë disa arsye që duhen vlerësuar. Kjo është njëra nga arsyet madhore pse për qytetarët shpesh jeta parlamentare bëhet ngjarje politikisht monotone, pa nuancime dhe dialektikën e duhur të debatit konstruktiv. Kjo, ngaqë gjithnjë, në të gjitha rastet, kemi jo aq shumë deputetë që shfaqen si politikanë të personalizuar, që kanë gjykime të nuancuara, sjellje konsensuale, pse jo edhe “kohabitacionale” kur duhet, por kemi seanca ku shfaqen njerëz që dihet se çfarë do thonë, si do gjykojnë, çfarë qëndrimi do mbajnë në çdo lloj debati parlamentar, duke u shfaqur thjesht “konsumator i derivuar” i politikës ngushtësisht partiake. Kësaj mënyre të të bërit të politikës parlamentare e këtij arketipi të deputetit i ka ikur koha. Mos harroni që në botën aktuale ka zhvillime esenciale, që po vënë në dyshim shumë nga parametrat, institucionet, mënyrën e të bërit të politikës, duke bërë të nevojshme rishikimin e formave tradicionale të politikës parlamentare, të statusit të deputetit, si raport i ndryshuar, më dinamik midis besnikërisë partiake militanteske dhe ekspertizës profesionale e politike. Mbase mund të duket e parakohshme, sepse sikurse dihet politika jonë ka inerci të fortë, por me sa duket, po vjen duke u kufizuar gjithnjë e më shumë koncepti i vjetër i deputetit si “konsumator politik pasiv”, si qenie mekanikisht e derivuar nga “llogoret” politike”…

