Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përfshirë edhe Tiranën, kryebashkiaku i së cilës, Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij.
Bardhi u shpreh se nuk ka asnjë surprizë nga Presidenti Bajram Begaj.
“Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama”, shkroi Bardhi në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, “me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës”.
“Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës”, shtoi Bardhi.
Barshi argumentoi se juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
“Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues”, u shpreh greu i grupit parlamentar të demokratëve ndërsa shtoi se askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit.
Presidenti i Republikës dekretoi sot datën 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale për kryetar të bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator.
Në lidhje me vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.