Debati për pagat, Rama thërret në tryezë institucionet e drejtësisë, kryeministri: Konsultim për një mekanizëm të ri pagash

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka ftuar institucionet e sistemit të drejtësisë në një tryezë të përbashkët konsultimi për çështjen e pagave të magjistratëve.

Ftesa ka shkuar për të gjitha institucionet e drejtësisë, duke u njoftuar se takimi do të zhvillohet më 28 shtator, në orën 12:30, në Kryeministri, dhe sipas ftesës synon të shërbejë si pikënisje e një procesi konsultimi dhe dialogu ndërinstitucional për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.
Në ftesën drejtuar institucioneve theksohet se diskutimi do të fokusohet te parimet, kriteret dhe instrumentet që duhet të udhëheqin politikën e pagave, duke pasur në konsideratë qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale dhe proporcionalitetin mes funksioneve dhe përgjegjësive.

 

“Synimi është diskutimi i përbashkët i parimeve dhe elementeve mbi të cilat mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë, sipas standardeve evropiane”, thuhet në ftesë.
Sipas ftesës, konsultimi nuk do të kufizohet vetëm te niveli aktual i pagave, por synon të përcaktojë një mekanizëm të qëndrueshëm për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre.
Qeveria kërkon që ky mekanizëm të mbështetet në rregulla të qarta dhe objektive, duke synuar një qasje të përbashkët mes institucioneve.
Në dokument theksohet gjithashtu se procesi synon të kontribuojë në pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, ndërsa njëkohësisht të garantojë qëndrueshmërinë financiare të shtetit.
Ftesa e Ramës vjen në një moment kur çështja e pagave të magjistratëve është kthyer në një debat institucional mes organeve të drejtësisë dhe ekzekutivit.
Pak ditë më parë në Kuvend është miratuar gjithashtu një formulë e re për pagën referuese, duke e çuar koeficientin nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit, ndërsa kjo formulë është kundërshtuar nga disa institucione të drejtësisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME