Sulmuesi shqiptar Marvin Çuni është bërë protagonist në kampionatin italian të Serisë B, duke realizuar golin e parë personal në këtë kategori dhe duke i siguruar një pikë të rëndësishme ekipit të Sampdorias.
Në sfidën ndaj Empolit, të luajtur në transfertë, 24-vjeçari shënoi 10 minuta përpara përfundimit të takimit, duke shmangur humbjen për skuadrën e tij.
Ky është goli i parë i Çunit në Serinë B, ndërsa më herët ai ka dhuruar edhe një asist për shokët e ekipit.
Futbollisti është i huazuar nga klubi rus Rubin Kazan, dhe ende nuk është përcaktuar nëse sezonin e ardhshëm do të rikthehet në Rusi apo do të vazhdojë karrierën në Itali.
Çuni është pjesë e kombëtares shqiptare, me të cilën ka debutuar në fund të vitit 2023 në ndeshjen miqësore ndaj Bullgarisë në “Air Albania”.

