NGA ANILA AHMATAJ
Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua vrasja e rreth 25 000 shqiptarëve në betejën e Çanakalasë. Një kapitull i ndërlikuar i historisë dhe sakrificës shqiptare…
Gadishulli i Çanakalasë, në pranverën e vitit 1915, u shndërrua në një skenë ku historia e popujve u përplas me forcat e errëta të fatit. Aty, mbi shkëmbinj dhe në plazhe të përgjakura, mijëra ushtarë dhanë jetën e tyre, jo për interesa personale, por për kauza që tejkalonin individin, për fenë, për atdheun, për atë të drejtë të vogël që çdo njeri mund të quajë të vetën. Mes tyre, shqiptarët u shfaqën duke ecur drejt vdekjes, ndërkohë që një pjesë e tyre ishte larg trojeve të veta, në Turqi, ku ishin strehuar pas shpërnguljeve dhe luftërave ballkanike. Beteja e Çanakalasë, e njohur në historiografinë ndërkombëtare si Gallipoli Campaign, përbën një nga fushatat më të rëndësishme dhe më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore. E zhvilluar midis 25 prillit tè vitit 1915 dhe 9 janarit te vitit 1916, ajo u shndërrua në një pikë kthese jo vetëm për fatin e Perandorisë Osmane, por edhe për historinë politike dhe ushtarake të rajonit të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme.

Për shqiptarët, Çanakalaja përfaqëson një episod pak të studiuar, por domethënës, pasi mijëra prej tyre morën pjesë në këtë betejë si pjesë e ushtrisë osmane, në një kohë kur shteti shqiptar sapo kishte dalë në skenën ndërkombëtare, por ende nuk ishte konsoliduar. Objektivi kryesor i Fuqive të Antantës, Britania e Madhe, Franca dhe aleatët e Komonuelthit, ishte kontrolli i ngushticës së Dardaneleve, me synimin për të hapur një rrugë furnizimi drejt Rusisë cariste dhe për të nxjerrë Perandorinë Osmane nga lufta. Pas dështimit të ofensivës detare më 19 mars te vitit 1915, për shkak të mbrojtjes së fortifikuar osmane dhe fushave të minuara, Antanta ndërmori një operacion tokësor masiv në gadishullin e Gallipolit. Zbarkimet e 25 prillit te vitit 1915 u përballën me rezistencë të fortë, duke e shndërruar fushatën në një luftë pozicionesh, të karakterizuar nga kushte ekstreme dhe humbje të mëdha njerëzore.Kjo betejë e rendit Çanakalanë ndër betejat më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore dhe e bëjnë atë simbol të rezistencës osmane, por edhe të sakrificës së popujve që u përfshinë në luftë. Një nga figurat kyçe të mbrojtjes osmane ishte Mustafë Kemal (Atatürk), komandant i Divizionit të 19-të. Vendimet e tij taktike, veçanërisht gjatë ndalimit të avancimit të trupave, patën ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e betejës dhe më vonë do ta shndërronin atë në figurë qendrore të historisë moderne turke. Fitorja në Çanakale u bë një element themelor i mitologjisë shtetformuese turke dhe një faktor i rëndësishëm në procesin që çoi drejt krijimit të Republikës së Turqisë. Në kohën e Betejës së Çanakalasë, Shqipëria kishte shpallur pavarësinë më 1912, por realiteti politik ishte tejet i brishtë. Një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare jetonte ende brenda strukturave administrative dhe ushtarake osmane, veçanërisht në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera ballkanike. Për këtë arsye, shqiptarët u mobilizuan në ushtrinë osmane në kuadër të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por edhe për motive ekonomike, fetare apo për shkak të traditës së gjatë ushtarake në strukturat perandorake. Burimet historike nuk ofrojnë statistika të sakta etnike për përbërjen e njësive osmane në Çanakala. Megjithatë, studiues shqiptar dhe turq, duke u mbështetur në të dhëna indirekte, kujtesë kolektive dhe dokumente ushtarake, sugjerojnë se dhjetëra mijëra shqiptarë kanë shërbyer në këtë fushatë.
Disa vlerësime flasin për mbi 20,000–30,000 ushtarë shqiptarë, me humbje të konsiderueshme, por këto shifra duhen trajtuar me kujdes për shkak të mungesës së regjistrave të detajuar etnikë.Çanakalaja nuk ishte thjesht një betejë ushtarake. Ishte një përplasje shekullore mes botëve, mes kulturave, mes ideve që përqafonin pushtetin dhe dominimin. Tetë shekuj historie luftrash, pushtimesh dhe rezistencash gdhendën këtë moment. Dhjetëra mijëra shqiptarë, të mobilizuar ose vullnetarë, të larguar nga shtëpitë e tyre, ata mbajtën shpresën edhe pse pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nuk kishte ende një vend të sigurt. Beteja ishte e ashpër, e zgjatur, e përgjakshme. Luftëtarët ecnin drejt armikut nën bombardime të paepura, ndërsa toka dhe deti ishin mbuluar me pluhur dhe gjak. Humbjet nuk ishin thjesht statistika, çdo emër i zhdukur tregonte histori familjare, ëndrra të shkatërruara, jetë të ndërprera. Mijëra shqiptarë ranë, por trimëria dhe vendosmëria e tyre mbetën të gjalla në kujtesën e breznive që do të vinin pas tyre. Në këtë beteje kishte edhe nga Vlora, nga Labëria, emra që janë radhitur edhe në pllakadat e varreve, si nga fshatrat Kuç, Gorrisht apo Treblovë. Gojëdhëna popullore thotë në një këngë të popullit:

INTERPRETIM…
Jonuzi 20 vjeç djal
Nga Kuçi nga Labëria
Shpëtoi Çanakalanë
U vra për veten e tija…
Çanakalaja është më shumë se një betejë, ajo është një testament i madhështisë dhe sakrificës njerëzore. Është një kujtesë se, edhe kur fuqitë e mëdha përplasen për interesa të tyre, popujt e zakonshëm qëndrojnë në mes, duke mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar dhe për të mos humbur identitetin. Për shqiptarët, kjo luftë la gjurmë të thella, në varreza pa emër, në këngë dhe rapsodi që përshkruajnë vuajtjet dhe trimërinë, duke e bërë Çanakalanë një pjesë të pavdekshme të historisë së tyre.

Historia shpesh i ka harruar këta njerëz. Kronikat e mëdha i quajnë të panjohur, i etiketojnë si “ushtarë anonimë” ose si numra në një betejë të madhe. Por në çdo varrezë pa emër, në çdo këngë që ka mbetur në kujtesën popullore, flitet për guximin dhe sakrificën e tyre. Ata nuk ishin thjesht pjesë e një perandorie; ata ishin njerëz që nuk hoqën dorë nga identiteti dhe dinjiteti i tyre, edhe kur bota e rrethonte me gjak dhe dhunë.Kënga e Çanakalasë, këngë vaji dhe heroizmi, ka mbetur një dëshmi e gjallë e atyre që ranë. Çanakalaja nuk ishte thjesht një betejë. Ajo ishte një përplasje e përjetshme midis fuqive që kërkonin pushtet dhe popujve që kërkonin të mbijetonin. Shqiptarët që ranë aty dhanë gjithçka: jetën, ëndrrat dhe shpresën e brezave të ardhshëm. Ata ishin një testament i rezistencës, një kujtesë se sakrifica njerëzore nuk mund të fshihet, edhe kur historia duket se e ka harruar.Çdo humbje shqiptari në Çanakala është një histori e papërfunduar, një kujtesë e qartë se trimëria nuk matet me pushtet, por me aftësinë për të qëndruar përballë fatit, për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor. Dhe kjo është historia që duhet treguar, me zë, me respekt, me lot dhe nder.


