TIRANË, 9 prill /Albania Express News/ Bordi i Transparencës vendosi sot që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi është ulur me 10 lekë për litër. Ndërkohë, bordi ka njoftuar se duke qenë se çmimi zbriti nën 220 lekë, akciza do të zbatohet e plotë dhe nuk do të ketë reduktim 20% të saj.
Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora 14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Në lidhje me aplikimin e akcizës, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sqaroi referencën tek Akti Normativ i 3 prillit, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

