Kastrioti arriti një fitore dramatike ndaj Besës, në takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Kategorisë së Parë. Skuadra e Ramadan Ndreut firmosi një nga përmbysjet më të bukura të këtij sezoni, me dopietën vendimtare të Oresti Kasmollarit që elektrizoi stadiumin “Redi Maloku”.
Ndonëse sfida nisi më e qetë, gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Ishin miqtë e Besës që shënuan të parët, falë një goditjeje të saktë të Çinuendus në minutën e 53-të. Ky gol ndezi takimin, shkaktoi tension në fushë dhe solli momente të nxehta, ku nuk munguan përplasjet mes lojtarëve të dy ekipeve.
Kastrioti, i shtyrë nga publiku dhe i karikuar nga ritmi i lojës, nuk u dorëzua. Në minutën e 82-të, Oresti Kasmollari mori përsipër të ndryshonte fatin e takimit. Sulmuesi gjeti golin e barazimit me një goditje të saktë dhe të shpejtë, duke rritur presionin mbi Besën, e cila dukej se e kishte humbur qetësinë.
Dhjetë minuta më vonë, në shtesën e ndeshjes (90+2’), Kasmollari goditi përsëri. Një finalizim që shpërtheu në festë mes tifozëve krutanë, dhe një gol që vulosi një përmbysje të çmendur, në një mbrëmje ku Kastrioti tregoi karakter, forcë dhe besim deri në sekondën e fundit.
Me këtë fitore, Kastrioti ngjitet në vendin e shtatë me 16 pikë, njësoj sa Apolonia dhe Burreli, duke mbetur plotësisht në garë për zonën “play off”. Në krahun tjetër, Besa mbetet me 11 pikë, në një pozicion të ftohtë dhe tejet të rrezikshëm, duke e komplikuar rrugëtimin e saj në këtë sezon të vështirë.
REZULTATI PËRFUNDIMTAR
Kastrioti 2–1 Besa
⚽ 82′, 90+2′ Kasmollari – 53′ Çinuendu

