Presidenti Bajram Begaj përshëndeti sot protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që u mbajt në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, si organizim i shoqatës së veteranëve të ushtrisë çlirimtare.
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës”, shkroi Begaj në rrjetet sociale ndërsa ndau momente nga sheshi i mbushur plot me qytetarë nga trojet shqipfolëse, diaspora dhe nga i gjithë vendi.
Begaj shtoi se UÇK-ja është krenari e historisë sonë kombëtare.
“Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi”, u shpreh Presidenti.
Protesta e sotme organizohet në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë që po organizohet gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.