Mbledhja e përbashkët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ku u prezantua raporti vjetor i Avokatit të Popullit u shoqërua sot me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku ndau sot në rrjetet sociale disa momente nga ky debat, ku deputetja e PS-së në qarkun e Fierit, Kiduina Zaka i përgjigjet kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, pas etiketimit që ai i bëri si “zëdhënëse e Belinda Ballukut”.
“Kjo është Kiduina Zaka, deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit dhe unë jam krenare që e kam kolege dhe akoma më krenare për vajzat e djemtë që në këtë mandat na janë bashkuar në formacionin e skuadrës tonë të deputetëve. Diferencën mes saj dhe sahanlëpirësve të Saliut, e tregon qartë kjo video”, u shpreh Balluku.
Nga ana e saj, Zaka i drejtohet Avokates së Popullit Erinda Ballanca duke e pyetur se çfarë rekomandimesh ka dhënë për adresimin e fenomenit të bullizmit kibernetik.
“Dua të ndalem tek pjesa e barazisë gjinore. Ju me të drejtë keni renditur format e dhunës aty dhe faleminderit shumë që keni cituar dhunën kibernetike sidomos pjesën e bullizmit online. Keni marrë ju ndonjë masë për të bërë rekomandime për të parandaluar këtë fenomen se është fenomen shumë i përhapur. Zoti Bardhi është mjeshtër i përdorimit të kësaj forme dhune për të marrë fotot personale dhe për të na vendosur kryq edhe pranga dhe hekura dhe për të na bërë zëdhënës të bandave”, u shpreh ajo.
Po ashtu, Zaka e konsideroi të papranueshme faktin se në komisionin për të drejtat e njeriut të përmenden akuza të tilla si “ti vjen nga bandat, je mësuar të flasësh me të fortë”. “Është një gjuhë jo etike. Të shkelen të drejtat e njeriut në komisionin e të drejtave të njeriut për mua është e papranueshme”, tha deputetja Zaka.