ELBASAN ,6 korrik 2026/Albania Express News/-AF Elbasani është vetëm pak orë larg një prej ndeshjeve më të rëndësishme të historisë së tij të viteve të fundit. Të martën, verdheblutë rikthehen në arenën europiane pas plot 20 vitesh mungesë, ku në “Elbasan Arena” do të përballen me BATE Borisov në takimin e parë të turit kualifikues.

Në konferencën për shtyp para sfidës, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shfaq optimist dhe i bindur se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për këtë duel. Tekniku theksoi se grupi ka punuar me intensitet gjatë fazës përgatitore, ndërsa u ndal edhe te lojtarët e afruar gjatë merkatos, duke nënvizuar se ata janë përshtatur shumë mirë me pjesën tjetër të ekipit dhe kanë rritur cilësinë e skuadrës.
Gvozdenoviç vlerësoi kundërshtarin, duke kujtuar se BATE Borisov mbetet një emër me peshë në futbollin europian, pavarësisht momentit jo të mirë që po kalon në kampionatin bjellorus.
Sipas tij, Elbasani synon të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, por theksoi se fati i kualifikimit nuk do të vendoset në 90 minutat e para, pasi gjithçka do të zgjidhet në dy përballjet mes skuadrave.
Në të njëjtën linjë me trajnerin ishte edhe kapiteni Bruno Lulaj. Mbrojtësi u shpreh se skuadra është e motivuar dhe e vetëdijshme për rëndësinë e kësaj sfide historike, ndërsa u bëri thirrje tifozëve të mbushin shkallët e “Elbasan Arenës” dhe të mbështesin ekipin në këtë rikthim të shumëpritur në kupat e Europës.

AF Elbasani do të presë BATE Borisov të martën në orën 20:00, me objektivin për ta nisur aventurën europiane me një rezultat pozitiv, që do t’i japë avantazh për ndeshjen e kthimit dhe do të mbajë gjallë ëndrrën e kualifikimit.

