NGA FATMIR POPJA
ELBASAN,10 maj 2026/Albania Express News/Në një sezon ku drama e mbijetesës ka pushtuar çdo cep të Abissnet Superiores, një histori e jashtëzakonshme suksesi meriton të qëndrojë mbi gjithçka tjetër. Është historia e AF Elbasanit, klubit më të ri në historinë e futbollit shqiptar, i krijuar vetëm në vitin 2021, por që sot renditet mes skuadrave elitare të vendit dhe luan si i barabartë me emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Vetëm pesë vite nga themelimi, verdheblutë kanë arritur diçka që shumë klube me dekada histori nuk e kanë prekur kurrë. Nga një projekt i nisur me vizion, punë dhe ambicie, AF Elbasani është kthyer në surprizën më të bukur të futbollit shqiptar, duke siguruar “Final Four” dhe duke u futur me meritë në garën për titullin Kampion i Superligës Shqiptare.
Në një kampionat të dominuar nga klube tradicionale me histori, trofe dhe buxhete të mëdha, Elbasani ka treguar se futbolli fitohet mbi të gjitha me organizim, përkushtim, shpirt gare dhe besim. Pikërisht këto elemente e kanë bërë skuadrën elbasanase një nga ekipet më të respektuara të këtij sezoni.
Sot, në javën e fundit të sezonit të rregullt, teksa e gjithë vëmendja është përqendruar te beteja dramatike e mbijetesës, AF Elbasani hyn në fushë pa presionin e frikës, por me krenarinë e një sezoni fantastik. Përballë Tiranës në “Elbasan Arena”, verdheblutë kërkojnë të mbyllin në mënyrën më perfekte një edicion që tashmë ka hyrë në historinë e klubit.
Nga ana tjetër, Tirana luan gjithçka për mbijetesën, në një kontrast të fortë me realitetin e AF Elbasanit. Bardheblutë e kryeqytetit kërkojnë pikët e shpëtimit, ndërsa ekipi më i ri në futbollin shqiptar po shijon një sezon ëndrrash.
Në vetëm pak vite, AF Elbasani ka fituar zemrat e qytetit, ka rikthyer atmosferën madhështore në “Elbasan Arena” dhe mbi të gjitha ka rikthyer krenarinë verdheblu. Tribunat janë mbushur sërish me pasion, ndërsa skuadra ka krijuar një identitet të fortë që premton një të ardhme akoma më të madhe.
Sot, ndërsa kampionati rregullt mbyll siparin, AF Elbasani nuk shihet më si “eklipsi” i momentit apo si një surprizë kalimtare. AF Elbasani tashmë është një realitet i madh i futbollit shqiptar një projekt modern, ambicioz dhe fitues, që po shkruan historinë me hapa gjigantë.

