Në prag të ndeshjes Shqipëri–Serbi, Elseid Hysaj foli sot për mediat krah trajnerit Silvinho, duke ndarë emocionet dhe pritshmëritë e tij për përballjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Hysaj theksoi emocionin që ndien para ndeshjes:
“Emocionalisht jam gati i njëjti si më parë. Po e përjetoj shumë, është e vështirë dhe e bukur. Mezor pres të jemi në fushë nesër.”
Ai komentoi edhe mbi masat e sigurisë, që janë prezente edhe këtë herë:
“Masat e sigurisë kanë qenë të forta edhe më parë. Na japin karikim sepse jemi të mbrojtur.”
Kapiteni i Kombëtares foli edhe për rekordin e Lorik Canës:
“Është kënaqësi dhe nder të arrij rekordin e Canës, por mendimi im kryesor është për skuadrën dhe për ndeshjen.”
Hysaj dha edhe këshilla për të rinjtë dhe theksoi rëndësinë e përqendrimit:
“Është një ndeshje delikate dhe e fortë. Të gjithë duhet të japim 120%, jo vetëm 100%. Futbolli është i paparashikueshëm, mund të kemi raste të mira apo të këqija, por rëndësi ka që të hyjmë në fushë për fitore.”
Ai përfundoi duke vlerësuar kundërshtarët serbë:
“Serbia ka lojtarë dhe sulmues të mirë, të gjithë me kualitet. Por edhe ne dimë ta përballojmë sulmin e tyre.”
Ndeshja Shqipëri–Serbi do të zhvillohet nesër në Leskovac, me fillim në ora 20:45.