Një punonjës sigurie në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës është dhunuar gjatë ditës së sotme nga një avokat, në një tjetër incident shqetësues që ndodh në ambientet e drejtësisë, vetëm pak ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të gjykatës, në zonën e kontrollit ku qytetarët dhe profesionistët kalojnë përmes detektorëve të metaleve. Sipas burimeve, avokati Redi Llanaj ka kërkuar të kalojë në zonën e sigurisë pa respektuar procedurat e zakonshme, por është penguar nga punonjësi i sigurisë. Pas një debati verbal, situata është përshkallëzuar në dhunë fizike ndaj punonjësit të gjykatës.
Menjëherë pas incidentit, avokati është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime mbi ngjarjen.
Ky episod vjen në një moment kur institucionet e drejtësisë në vend janë nën tension dhe shqetësim të lartë për sigurinë, pas ngjarjeve të rënda që kanë tronditur opinionin publik. Rasti në Vlorë shton edhe një herë nevojën për masa më të forta sigurie dhe respekt më të madh ndaj punonjësve të sistemit gjyqësor.

