55 vite marrëdhënie Shqipëri–Holandë, kujtohet ndeshja legjendare 17 Nëntori – Ajax

Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u zhvillua sot një event i veçantë i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, në kuadër të Javës Kulturore Holandeze dhe 55-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Kjo ngjarje përkoi gjithashtu me përvjetorin e ndeshjes historike mes “17 Nëntorit” dhe Ajax-it, e zhvilluar dekada më parë dhe që mbetet një kujtim i paharruar për tifozët shqiptarë.

Në këtë aktivitet morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ish-futbollistë të dy skuadrave të asaj kohe si Arie Haan, i cili ka qenë edhe trajner i ekipit tonë kombëtar (2008-2009), Ruud Krol, Niko Xhaçka, Arben Çela, si edhe shumë ish-futbollistë të shquar, personalitete, gazetarë etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Duka vlerësoi rëndësinë historike të kësaj ndeshjeje që ka mbetur në kujtesën e futbollit shqiptar, duke përshëndetur protagonistët e asaj kohe, si dhe figurat e njohura të futbollit holandez, Rudi Krol dhe Arie Haan, të pranishëm në ceremoni.

Ai theksoi se futbolli ka një fuqi të veçantë për të bashkuar popujt dhe për të ndërtuar ura miqësie përtej politikës, duke nënvizuar se “futbolli i paraprin diplomacisë dhe krijon lidhje që shkojnë përtej fushës së lojës”.

Duka vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Holandës, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë sportiv, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me Federatën Holandeze të Futbollit dhe shembuj konkretë si finalja e parë e Conference League të zhvilluar në Tiranë, ku mori pjesë edhe klubi Feyenoord.

Në mbyllje, Duka falënderoi ambasadën holandeze për partneritetin dhe theksoi se Federata Shqiptare e Futbollit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që promovojnë kulturën, sportin dhe miqësinë mes popujve.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, në fjalën e tij përshëndetëse, falënderoi presidentin e FSHF-së për mikpritjen dhe organizimin e këtij eventi simbolik, duke theksuar rëndësinë që ka sporti në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kjo është Java jonë Kulturore, por njëkohësisht edhe përvjetori i 55-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike. Viti 1970 ishte viti kur nisën marrëdhëniet tona, por edhe më e rëndësishme është ajo që ndodhi 55 vite më parë. Ajo ndeshje historike mes dy skuadrave. Unë jam ambasadori i Holandës në Shqipëri, por ambasadorët e vërtetë janë këtu sot”, u shpreh ambasadori.

Në kuadër të eventit u zhvillua një panel diskutimi me katër protagonistë të ndeshjes historike: Ari Haan dhe Ruud Krol, ish-lojtarë të Ajax-it të asaj periudhe, si edhe Niko Xhaçka dhe Arben Çela nga “17 Nëntori”, të cilët ndanë kujtimet dhe emocionet e asaj përballjeje simbolike.

Ish-futbollisti holandez Ruud Krol u shpreh i lumtur që ata ishin hapi i parë mes Holandës dhe Shqipërisë për zhvillimin e këtij bashkëpunimi.

“Shpresojmë që së bashku të mund të rindërtojmë dhe të bëjmë një hap edhe më të madh drejt së ardhmes. Në futboll, miqësia është gjithmonë e fortë, pavarësisht nëse fitojmë apo humbasim. Gjithmonë i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit”, tha ai.

Ndërsa ish futbollisti tjetër holandez, Arie Haan u shpreh i kënaqur që u rikthye sërish në Shqipëri.

“Doja t’i takoja sërish njerëzit. Ishte një ndjesi shumë e bukur. Dhe duhet të them se gjithçka ishte ashtu siç e kisha menduar, pikërisht ajo që prisja dhe që ndjeva këtu në Shqipëri. Jam vërtet shumë i kënaqur që ndodhem këtu”, tha ai.

Ndërsa ish-futbollisti Niko Xhaçka u shpreh se ndeshja mes “17 Nëntorit” dhe “Ajaxit” ishte një ngjarje e rëndësishme në futbollin e asaj kohe dhe me vështirësitë e mëdha që ishte vendi ynë.

“Pa një takim ndërkombëtar, të luash me një ekip botëror, me lojtarë si Ari Haan dhe Van dhe shumë të tjerë që mungojnë, është një nder shumë i madh për ekipin e 17 Nëntorit që mundi në atë kohë të japë një rezultat të jashtëzakonshëm, qoftë këtu, qoftë në Amsterdam”, tha ai.

Ndërsa ish-futbollisti Arben Çela, falënderoi presidentin e FSHF-së dhe ambasadorin holandez për këtë organizim të shkëlqyer dhe mbresëlënës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

“5 Maji” – Lagjja që u kthye në qytet brenda qytetit

Nga Miranda Sadiku  Nëse dikur ishte një cep i qetë,...

Indeksi Global i Urisë 2025: Luftërat përgjegjëse për pothuajse gjysmën e rasteve të urisë akute

Njëqind e dyzet milionë njerëz në të gjithë botën...

Meksikë/ Të paktën 66 viktima nga stuhitë e fundit, dhjetra të zhdukur

Autoritetet në Meksikë kanë përditësuar numrin e të vdekurve...